Iraku thotë se sulmi ushtarak në Mosulin perëndimor ka filluar

Kryeministri irakian, Haider al Abadi ka thënë se kanë filluar operacionet ushtarake për të rimarrë Mosulin perëndimor nga militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Bota

19/02/2017 10:03

“Ne njoftojmë fillimin e një faze të re të operacionit, ne po vijmë…për të çliruar pjesën perëndimore të Mosulit”, ka thënë Abadi në një paraqitje televizive të bërë më 19 shkurt.

“Forcat tona po fillojnë me çlirimin e qytetarëve nga terrori i DAESH-it, (Shtetit Islamik)”, ka thënë më tej Abadi.

Mosuli është kryeqyteti i vetëshpallur i të ashtuquajturit “kalifat” të militantëve ekstremistë të IS-it në Irak.

Përpjekjet irakiane që e kanë mbështetjen e SHBA-së për të rimarrë Mosulin, zonën e fundit të kontrolluar nga IS-i në këtë vend, ka filluar më 17 tetot dhe ka pasur sukses në marrjen e pjesës lindore të qytetit, disa javë pas luftimeve të ashpra.

Pjesa perëndimore mbetët nën kontrollin e Shtetit Islamik, zonë ku 650 mijë deri në 800 mijë civilë janë të përzier me kryengritësit.

Gjatë të dielës më 19 shkurt, aeroplanët irakianë kanë lëshuar miliona broshura për të paralajmëruar banorët për fillimin e sulmit ndaj pjesës perëndimore.

“Forcat tuaja të armatosura…po avancojnë në drejtimin e duhur, duke u mbështetur në zot”, thuhet në një nga broshurat.

“Bëhuni gati të mirëprisni bijtë e forcave tuaja të armatosura dhe të bashkëpunoni me ta, ashtu siç kanë bërë vëllezërit tuaj në anën e majtë, me qëllim që të zvogëlojmë humbjet dhe të shpejtojmë përfundimin”, thuhet më tej.

Broshura të tjera kanë paralajmëruar anëtarët e Shtetit Islamik që të “dorëzojnë armët dhe të dorëzohen edhe vet”.

Gazeta amerikane, “The Neë York Times” ka shkruar më 18 shkurt se në Mosulin perëndimor ushqimet, uji, njësitë që përdoren për gatim dhe për ngrohje nuk gjenden kollaj dhe ato po shiten me çmime marramendëse.

Shteti Islamik ka okupuar pjesë të mëdha të Irakut verior dhe Sirisë në një ofensivë të filluar më 2014.

Grupi militant akuzohet për shumë krime, ndërsa deri më tash ka marrë përgjegjësinë për sulme të mëdha terroriste në Evropë dhe më gjërë.

Shteti Islamik e konsideron qytetin Raka si kryeqytet të saj në Siri. Ky qytet është i rrethuar nga forcat që e kanë mbështetjen e amerikanëve.