Iraku kërkon nga Turqia të heq trupat

Qeveria irakene i ka kërkuar Turqisë që të tërheqë trupat ushtarake që ka dërguar pranë qytetit verior të Mosulit.

Bota

05/12/2015 09:03

Për kryeministrin Haider al Abadi, kjo lëvizje ka qenë një shkelje serioze e sovranitetit të Irakut. “Respektoni fqinjësinë e mirë dhe tërhiquni menjëherë nga territori iraken”, ka qenë apeli i Bagdadit zyrtar.

Ushtarët turq janë vendosur në afërsi të qytetit Bashika për të stërvitur forcat kurdo-irakene. Turqia gëzon marrëdhënie të afërta me rajonet autonome kurde në Irak, edhe pse grupet kurdo-siriane në kufi i sheh si armiqësore.

Mosuli ndodhet nën kontrollin e Shtetit Islamik që prej vitit të kaluar. Rënia e tij ishte një moment kyç në ngritjen e Shtetit Islamik dhe ofensivat e qeverisë për ta rimarrë nën kontroll kanë dështuar.

Këtë javë, Mbretëria e Bashkuar kreu sulmet e para ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri, ndërsa Gjermania votoi pro dërgimit të mbështetjes ushtarake në luftën kundër grupit terrorist.