Iraku dënon me vdekje 40 persona

Një gjykatë irakiane ka dënuar me vdekje 40 burra, për rolin e tyre në masakrën e qindra rekrutëve ushtarakë nga militantët e Shtetit Islamik, në vitin 2014.

Bota

18/02/2016 17:03

Një zëdhënës i ministrisë së drejtësisë në Irak, Abdel Sattar Bayraqdar, tha më 18 shkurt se Gjykata Qendrore Kriminale në Baghdad ka shqiptuar dënimet, në pajtueshmëri me ligjet anti-terroriste të vendit.

Bayraqdar tha se gjykata ka liruar shtatë nga të akuzuarit tjerë në këtë rast, në mungesë provash.

Nuk është ende e qartë nëse të dënuarit mund të apelojnë mbi vendimet.

Në një gjykim të ngjashëm në korrik të vitit 2015, 24 persona ishin dënuar me varje, në ndërlidhje me masakrën e kryer në ditët e para të ofensivës së Shtetit Islamik në Irak, më 2014.

Militantët thanë atëbotë se kishin ekzekutuar 1,700 ushtarë, të cilët kishin ikur nga kampi Speicher, një bazë ushtarake afër qytetit Tikrit, por Human Rights Watch kishte raportuar për ekzekutimin e 770 ushtarëve.