Irak: Gazetarja u vra derisa e udhëhiqte programin në Mosul (Video)

Një gazetare që punon për një kanal televiziv kurd është vrarë sot nga eksplodimi i një bombe gjatë luftimeve ndërmjet trupave qeveritare dhe militantëve të Shtetit Islamik në qytetin Mosul.

Bota

25/02/2017 19:52

Organizata e lajmeve, Rudaw, ka njoftuar se gazetarja e saj, Shifa Gerdi, 30 vjeçare, është vrarë gjatë sulmit me bombë, ndërsa kameramani, Younis Mustafa, ishte plagosur.

Gazetarja Gerdi në çastin e eksplodimit ishte duke e udhëhequr një program special për ofensivën në Mosul.

Gjatë operacionit të ushtrisë irakiane për marrjen e kontrollit në Mosul, janë plagosur disa gazetarë, ndërsa reporteri i televizionit të Irakut, Ali Raysan, ishte vrarë derisa raportonte për luftime në muajin tetor të vitit të kaluar.

Iraku është njëri nga vendet më të rrezikshme për gazetarët.

Në indeksin e Lirisë Botërore të Shtypit për vitin 2016 të organizatës Reporterët pa Kufij, Iraku plasohej në vendin e 158-të në listën prej 180 shteteve.