IPKO: Për shitjen e biletave zbatojmë vetëm vendimet e FFK-së

IPKO ka reaguar pas incidenteve në pikat e shitjes së biletave, për ndeshjen që Kosova e luan ndaj Maltës.

Sport

08/10/2018 22:06

Ata kanë thënë se e kuptojnë interesimin e madh për ndeshjen e radhës, mirëpo nuk varët asgjë nga kompania e tyre, përcjell lajmi.net.

Ata insistojnë se vetëm zbatojnë vendimet e FFK-së, pra gjithçka varët nga FFK.

Ky është njoftimi i plotë për media, nga IPKO:

“E kuptojmë rëndësinë e secilës ndeshje të përfaqësueses së Kosovës, në kuadër të Ligës së Kombeve si dhe e kuptojmë dëshirën e madhe të secilit qytetar që të përkrahë në mënyrë aktive përfaqësuesen tonë në fushë, ka thënë Edona Zogu.

“Megjithatë, ju bëjmë thirrje të gjithë adhuruesve të futbollit, që të kenë mirëkuptim dhe durim gjatë procesit të blerjes së biletave. Sot në orët e pasdites, gjatë procesit të shitjes së biletave, janë shënuar disa incidente, të cilat nuk i përkrahim dhe për më shumë, i dënojmë. Duam t’ju informojmë që IPKO, vetëm e lehtëson procesin e shitjes së biletave. IPKO-ja në këtë rast, zbaton vendimet e Federatës së Futbollit, siç janë mënyra e shitjes së biletave, pikat e shitjes, vendndodhja dhe koha e shitjes, si dhe është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim”, ka thënë  Zogu, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në Ipko. “Ne i falënderojmë të gjithë qytetarët e vendit për durimin dhe respektin e të tjerëve gjatë kohës së pritjes për të blerë biletat”, ka thënë më tej ajo.

Kujtojmë se situata ka eskaluar deri në atë pikë sa është dashur të intervenojë Njësia Speciale e Kosovës. /Lajmi.net/