iPhone 6 prej safiri do të kushtojë më shtrenjtë

Nëse Apple vendosë që në celularin e ardhshëm iPhone 6 të vendosë ekranin e qelqit prej safiri, atëherë çmimi i celularit pritet të jetë më i lartë.

Auto & Tek

15/08/2014 20:21

Me vetëm rreth një muaj para lansimit zyrtar të iPhone 6, spekulimet rreth telefonit më të famshëm mobil sa vijnë e rriten. Siç thuhet, Apple do ta zbulojë modelin e saj më të ri të telefonit iPhone 6, diku midis 9 dhe 19 shtatorit.

Shumë raporte dhe video online kanë pretenduar se iPhone 6 do të sjell mbrojtësin e ekranit prej safiri, në vend të qelqit konvencional të njohur si Corning Gorilla Glass.

Disa raporte më parë deklaruan se fabrika e cila do ta bëjë prodhimin e qelqit prej safiri ka hasur në disa probleme, dhe për këtë shkak, iPhone 6 me madhësinë e ekranit prej 5.5 inç do të vonohet.

Sidoqoftë, WSJ thotë se në qoftë se iPhone 6 vjen me ekranin e safirit, atëherë gjenerata më e re e iPhone 6 do të jetë shumë më e shtrenjtë se sa çmimi i zakonshëm, i cili pritet nga përdoruesit e telefonit të Apple.

Apple është duke e konsideruar përdorimin e qelqit nga safiri në iPhone 6 për shkak se ky lloj materiali është shumë më rezistent ndaj gërvishtjeve dhe thyerjes së ekraniti, për dallim nga varianti aktual i ofruar nga Gorilla Glass.