iOS 9: Siri vjen edhe në iPhone më të vjetër

Apple pritet të lansojë versionin e ri të iOS së bashku me versione të reja të iPhone.

Auto & Tek

25/05/2015 18:05

Konferenca Botërore e Apple pritet që të mbahet më 8-12 qershor dhe kjo konferencë është vendi ku kompania paraqet nivelet e ardhshme të iOS dhe OS X.

Duke u shtuar interesimet për këtë konferencë, tashmë kanë filluar të dalin shumë thashetheme për atë se si do të jetë iOS 9, versioni i ri i kompanisë për iPhone dhe iPad, transmeton Lajmi.net.

Më poshtë mund t’i lexoni të gjitha ato që priten të vijnë në iOS 9:

Një shkrim i ri: Apple pritet të largojë shkrimin Helvetica Neue i cili ishte prezantuar me iOS 7 dhe të lëvizë në favor të shkrimit të Apple Watch ‘San Francisko’, thotë një raport në 9to5Mac.

Përderisa Helvetica Neue nuk fitoi shumë fansa kur u lansua me iOS 7, raporti shton se jo të gjithë inxhinierët janë të lumtur rreth këtij ndryshimi dhe brengosen se San Francisko nuk do të duket mirë në ekrane jo-Retina.

Përderisa në versionet e reja të iOS është e pazakonshme të shihen shumë ndryshime në dizajn, ndryshimi i shkrimit mund të jetë gjithashtu një ndryshim i madh në të.

Beats Music: Apple bleu shërbimin e Beats Music dhe kufjet për $3 miliardë më 2014 dhe ende nuk kemi parë ndonjë integrim të këtij shërbimi në iOS.

Ishte raportuar se Apple ka filluar të punojë në një aplikacion i cili do të garojë me Spotify dhe Rdio dhe do të jetë thellë i integruar me iOS, iTunes dhe Apple TV, transmeton Lajmi.net.

Hartat tranzit: Hartat tranzit do t’i lejojnë përdoruesit të navigojnë rrugët duke përdorur aplikacionin Apple Maps.

Përmirësimi i Siri: Vitin e kaluar ne pamë se Siri u integrua me Shazam i cili e bëri të mundur që përdoruesit të identifikojnë këngë përmes asistuesit digjital me zë. Përveç kësaj, Apple prezantoi edhe mënyrën “Hey Siri” që i lejonte përdoruesit ta ndezin Siri-në vetëm me shprehjen e kësaj fraze.

Përderisa iOS 9 pritet që të punojë edhe për pajisje më të vjetra të Apple, raportimet thonë se Siri do të mbështesë gjithashtu pajisjet më të vjetra të Apple.

Pajtueshmëria me iPhone më të vjetër: Sipas një raporti në 9to5Mac, iPhone-ët dhe iPad-ët më të vjetër do të jenë në gjendje që të veprojnë përmes iOS 9 në mënyrë efektive. Raporti shton gjithashtu se Apple ka filluar testimin e një versioni të tillë që vepron në mënyrë efektive në pajisjet A5.