Inxhinieri i Trepçës: Menaxhmenti po i shet mbeturinat si pasojë e rënies së prodhimit

Pas lajmit të publikuar se ndërmarrja ‘Trepça’ do t’i shes mbeturinat e minierës, ka reaguar inxhinieri i kësaj ndërmarrje, Burim Istrefi, i cili ka thënë se prodhimi i xehes po shënon rënie të madhe.

Lajme

28/07/2017 21:31

“Puna në Minierën e Trepçës po ecën çdo ditë e më keq tash e sa kohë. Prodhimi i xehes po shënon rënie nga muaji në muaj dhe më këtë çështje askush nuk po merret, sikur se te gjithëve u shkon përshtati kjo gjendje në të cilën ndodhet Trepça”, ka shkruar Istrefi në Facebook.

Një pjesë shumë të madhe të përgjegjësisë inxhinieri Istrefi ka thënë se e ka menaxhmenti i ndërmarrjes, i cili siç dihet për më shumë se tri vite drejtohet nga Ahmet Tmava.

“Kriza institucionale ka pas efekt negativ edhe në Minierën e Trepçës, por një pjesë shumë të madhe të përgjegjësisë e kanë edhe Menaxhmenti i Minierës dhe komplet stafi udhëheqës i saj.

Si pasojë e kësaj gjendje detyrohen të shiten mbeturinat, por vështirë është të mbulohet ngecja e prodhimit me shitjen e këtyre mbetjeve. Shpresojmë për ditë më të mira për Minierën dhe Minatorët”, ka shkruar inxhinieri Burim Istrefi./Veriu.info