Investohen 4 milionë euro në dy komunat e Drenicës

Derisa në Skenderaj Ministria e Arsimimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës do të investojë mjete për t’i përfunduar projektet e dy shkollave, të cilat kanë filluar të ndërtohen para katër vjetëve, si dhe në disa projekte të reja shkollore në Drenas, Ministria e Infrastrukturës do të investojë rreth 2 milionë euro për projekte kryesisht të infrastrukturës rrugore

Lajme

10/02/2017 09:11

Rreth 4 milionë euro do t’i investojnë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Infrastrukturës për përfundimin e një varg projektesh shkollore dhe infrastrukturore në komunat e Drenicës, Skenderaj e Drenas.

Në komunën e Skenderajt, krahas projekteve të reja, do të investohet për përfundimin e ndërtimit të dy objekteve shkollore që kanë filluar para 4 vjetëve, ndërsa në komunën e Drenasit do të investohet kryesisht për projekte të infrastrukturës rrugore.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës dhe komuna e Skenderajt janë dakorduar për vazhdimin e projekteve të përbashkëta shkollore të filluara para 3-4 vjetëve, siç është ndërtimi i objektit të gjimnazit “Hamzë Jashari” dhe i objektit të shkollës fillore “Dëshmorët e Qyqavicës” në Qirez.

Zëvendësministri i MASHT-it, Mevludin Krasniqi, ka thënë se do të investohet për përfundimin e këtyre dy objekteve shkollore gjatë këtij viti, ndërsa me bashkëfinancim do të realizohen edhe projekte të reja.

Rreth 2 milionë euro vlerësohet se do të investohen për përfundimin e projekteve të filluara shkollore dhe për fillimin e realizimit të disa projekteve të tjera me bashkëfinancim, por edhe me mjete buxhetore të komunës së Skenderajt.

Projektet do të realizohen sivjet

Fadil Nura, nënkryetar i Skenderajt, tha se janë edhe disa projekte të reja që do të realizohen gjatë këtij viti me bashkëfinancim dhe me mjeteve të veta buxhetore, siç janë projekti i ndërtimit të sallës së fizkulturës në shkollën fillore “Abedin Rexha” në Turiqefc, si dhe ndërtimi i objektit të ri të objektit të institucionit parashkollor “Nëna Zahide” në Skenderajt.

“Të dy këto projekte do të nisin të realizohen në këtë vit. Investimet në infrastrukturën shkollore rrisin cilësinë në shkolla, pasi që objektet e reja të ndërtuara ofrojnë kushte shumë të mira për nxënie të dijes nga nxënësit e Skenderajt. Rëndësi të veçantë ka edhe ndërtimi i objektit të institucionit parashkollor “Nëna Zahide”, pasi që objekti ekzistues nuk i plotëson kushtet optimale për edukim dhe qëndrim të fëmijëve. Ndërkaq, me buxhetin e komunës do të fillojë edhe ndërtimi i objektit të ri të shkollës “Elena Gjika” në Makërmal, ndërsa do të bëhet edhe rinovimi i tërësishëm i objektit të shkollës në Marinë”, ka precizuar nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Ndryshe, ndërtimi i objektit të ri të gjimnazit “Hamzë Jashari” është duke u zvarritur për më shumë se katër vjet, pasi që MASHT-i nuk ka ndarë mjete, ndërsa e njëjta gjë është edhe në shkollën e Qirezit, si dhe me objektin e shkollës “Vëllezërit Frashri” në Qubrel.

1.8 milion euro për komunën e Drenasit

Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me komunën e Drenasit për investimin e saktësisht 1.8 milion euro për realizimin e disa projekteve infrastrukturore në komunën e Drenasit, në vitin 2017.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka thënë se ministria që drejton ai do të financojë projektet e infrastrukturës në komunën e Drenasit, ndërkohë që komuna obligohet të krijojë kushtet e nevojshme për realizimin e projekteve pa pengesa për operatorët ekonomikë, si dhe që projektet të zhvillohen në pajtim me Ligjin mbi Prokurimin publik dhe Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësive.

Në Memorandumin që ka nënshkruar ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, janë përfshirë projektet, ndërtimi i urave në komunën e Drenasit, përkatësisht në fshatin Vërboc, në vlerë prej 30.000 euro, asfaltimi i rrugës Polluzhë – Shtuticë – Dashec. në vlerën prej 500.000 euro, ku për vitin 2017 janë paraparë të investohet në këtë projekt 300.000 euro, ndërsa për vitin 2018 do të ndahen 200.000 euro që është projekt dyvjeçar, pastaj asfaltimi i rrugës Baicë-Tërstenik, në vlerë prej 250.000 euro, që po ashtu është projekt dyvjeçar, ku për këtë vit janë planifikuar 50.000 euro dhe për vitin 2018, 200.000 euro, asfaltimi i rrugës së fshatit Fushticë e Poshtme, në vlerë prej 80.000 euro, që do të realizohet këtë vit, asfaltimi i rrugës “Gani Elshani” në Drenas, që do të realizohet këtë vit dhe vlera është 250.000 euro, rregullimi i infrastrukturës në “Lagjen e Dëshmorëve” në Poklek, në vlerë prej 200.000 euro, asfaltimi i rrugës në fshatin Llapushnik, në vlerë prej 150.000 euro, që do të realizohet gjatë këtij viti, asfaltimi i rrugës Sankoc – Fushticë, në vlerë prej 250.000 euro, që po ashtu do të realizohet gjatë këtij viti dhe ndërtimi i nënkalimit në fshatin Llapushnik, ku projekti do të realizohet gjatë këtij viti, ndërsa kostoja e projektit është 50.000 euro. /Zeri.info