Investitori gjerman që iku nga Kosova hapi katër mijë vende pune në Maqedoni

Rreth katër mijë qytetarë të Kosovës kanë mundur ta zgjidhin paksa problemin e papunësisë së madhe në vend, në rast se Qeveria e Kosovës do ta priste më mirë prodhuesin gjerman të pajisjeve elektronike për vetura, “Draexlmaier Automotive Electronic”, e cila braktisi Kosovën pas tre muaj qëndrimi në vend.

Lajme

22/08/2014 10:26

Përfitimet që ‘refuzoi’ Kosova t’i thithë nga ky investitor, i përfitoi Maqedonia e cila tregoi qasje të veçantë ndaj prodhuesit gjerman dhe vetëm pas një viti arriti marrëveshje për të prodhuar në lindje të Shkupit të njëjtat prodhime, shkruan Tribuna.

Që nga viti 2009 ky investitor gjerman është duke prodhuar në Maqedoni, i cili në verën e vitit 2008 pati tentuar që të instalohet në zonën industriale Prishtinë-Fushë Kosovë, e të prodhojë të njëjtat aty për të punësuar asokohe 100+500 punëtorë vendorë.

Në Qershor të këtij viti, pronarët e “Draexlmaier Automotive Electronic” shpallën edhe njoftimin për hapjen e linjës së dytë të prodhimit këtë vit, e për të rritur numrin e të punësuarve nga 4300 sish në 4900 deri në fund të vitit, me paga mesatare të vendit.