Investimet e huaja në vitin 2014 kanë rënë në mbi 80 milionë euro

Zhvillimet në skenën politike gjatë vitit që e lëmë pas, zvarritja e krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe jo stabiliteti institucional, ka ndikuar dukshëm në zvogëlimin e investimeve nga jashtë.

Lajme

10/02/2015 16:44

Këtë e ka konfirmuar edhe ministrja Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, e cila bërë të ditur se viti 2014, për dallim me 2013-ën, është shënuar me rënie të konsiderueshme ekonomike.

Duke folur në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, ministrja Bajrami tha se nëse krahasohen shifrat me vitin 2013, në vitin 2014, Kosova ka pësuar rënie në investimet e huaja.

Ndonëse për vitin 2014 ende nuk është llogaritur se sa kanë qenë investime të huaja, por vetëm deri në muajin nëntor, investimet e huaja kanë arritur vetëm në 121.7 milionë euro.

“Ju siç e dini kemi një rënie të statistikave, një rënie të investimeve të huaja, vit pas viti, dhe ne faktikisht për tri kuartalet e para për vitin 2014 shuma ka qenë 121.7 milionë. E viti 2013 ka përfunduar me 258 milionë për investime të huaja”.

“Ne të gjithë e dimë që nuk kemi një ambient të favorshëm të biznesit, kemi pengesa nga më të ndryshmet. MTI ka bërë një progres në raportin e Doing Bussiness, mirëpo ky biznes ka qenë falë largimit të disa barrierave më shumë të natyrës burokratike dhe administrative, mirëpo ato të cilat me të vërtetë janë barriera nuk janë adresuar. Shumica prej tyre janë jashtë mandatit të MTI-së”.

Ministrja Bajrami tha se Kosova ka nevojë që të kujdeset për investitorët e huaj, duke iu ofruar një ambient më të mirë dhe kushte më të favorshme.

“Ne kemi nevojë të krijomë tregime të suksesit të cilat do ta promovojnë Kosovën jashtë”.

“Ne besojmë që duhet të kujdesemi për investitorët, ashtu siç bëjnë vendet tona, ku në nivel të kryeministrave merren me investitorët e huaj, ku ju ofrojnë kushte”.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se nëse llogaritet përafërsisht edhe pjesa e mbetur e vitit 2014, investimet e huaja nuk mund të kalojnë as shifrën e 170 milionë eurosh. Kjo, sipas Mustafës, mungesa e investimeve të huaja në mes dy vjetëve të fundit, mund të jetë rreth 80 milionë.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha për lajmi.net se viti 2014 në aspektin ekonomik, ka qenë një vit i dështuar.

Ai thotë se rënia e investimeve të huaja direkte nga viti paraprak, po reflektohet edhe në vitin 2015.

“Është e vërtetë që viti 2014 ka qenë një vit i vështirësive ekonomike, dhe ne si Odë Ekonomike e Kosovës e kemi shpallur si një vit të dështuar. E kemi argumentuar këtë dështim me vet faktin që kemi pasur rënie të investimeve të huaja direkte, kemi pas rënie të krijimit të vendeve të reja të punës, eksportet e Kosovës nuk kanë qenë ato që i kemi paraparë. Të gjitha këto, kur i bashkëngjitet edhe fakti që ka qenë një vit i stërngarkuar me agjendë politike, e ka bërë vërtetë vitin 2014 mjaft të vështirë. Breng e jona kryesore është që këto pasoja të vitit 2014 po reflektohen dhe janë bartë në vitin 2015 dhe kjo do ta vështirësojë të bërit biznes në Kosovë”.

Gërxhaliu thotë se rënia e investimeve të huaja po ndodhë për shkak se në Kosovë po dominon agjenda politike dhe jo ajo ekonomike.

Ai thotë se Kosova duhet të mësojë nga përvojat e vendeve të huaja dhe të krijojë një plan nacional zhvillimor.

“Arsyet kryesore se pse nuk kemi ose pse kemi rënie të investimeve të huaja, pa dyshim që është agjenda politike e cila po dominon në Kosovë. Nuk e kemi kuptuar edhe më tutje që prioritet duhet të jetë zhvillimi ekonomik, dhe zhvillimi ekonomik mund të bëhet vetëm duke mbështetur sektorin privat vendor, duke përmirësuar ambientin e investitorëve dhe duke rritur atraktivitetin për investitorët e huaj. Të gjitha këto mund të arrihen me sundimin e rendit dhe ligjit dhe ne në këto pika kemi dështuar, ku investitorët e huaj shumë më shumë janë larguar nga Kosova se sa kanë ardhur dhe e tëra kjo e dëshmon se në çfarë pozite është qëndrueshmëria ekonomike dhe sociale në Kosovë”.

“Në rend të parë duhet të mësojmë nga përvojat e vendeve të huaja. Në këtë drejtim ne na mungon një pako për të tërhequr investitorët e huaj. Në rend të dytë, shumë më tepër flasim për zhvillimin ekonomik se sa që bëjmë. Me vet faktin që 16 vite pas luftës nuk e kemi një plan nacional zhvillimor është ajo që po e përcjellë të rënies së investimeve të huaja”, tha Safet Gërxhaliu për lajmi.net.