Intervistë me Ismailin, djaloshin që shkroi historinë me Kosovën U-18 dhe Z Mobile Prishtinën

Viti 2018 ishte një vit jashtëzakonisht i mirë për basketbollin kosovar. Kosova arriti suksese si në kuadër të klubeve ashtu edhe me përfaqësuese.

Sport

02/01/2019 15:11

Skuadra e Z Mobile Prishtinës dhe Përfaqësuesja e Kosovës U-18 ishin skuadrat që shkruajtën historinë e basketbollit kosovar.

Prishtina, për të dytin vit radhazi është paraqitur në parakualifikimet e “Basketball Champions League”, ku për fat të keq është eleminuar. Por, këtë vit, ata kanë vazhduar në “FIBA Europe Cup”, ku kaluan raundin e parë, duke u bërë kështu skaudra e parë kosovare që paraqitet në mesin e 16 skuadrave më të mira të këtij kompeticioni.

Një lojtar i cili falë punës dhe fatit të tij ishte pjesë e të dy këtyre skuadrave për të përjetuar emocionet e këtyre sukseseve është Meriton Ismaili.

Lajmi.net ka siguruar një intervistë me basketbollistin premtues, në të cilën 18 vjeçari ka tregur për ndjesinë e tij gjatë këtij rrugëtimi dhe për punën e palodhshme që ai ka bërë gjatë disa viteve, për të arritur deri në këtë pikë.

Përkundër sukseseve, Ismaili sigurisht se nuk mund të harronte njeriun që sipas tij ka meritat më të mëdha për sukseset e tij, trajnerin me të cilin ai punoi individualisht për shumë kohë, Albert Sylejmani.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me Meritonin.

LAJMI.NET: Si e komentoni suksesin tuaj me Z Mobile Prishtina?

Ismaili: Suksesi me Prishtinën ishte një arritje shumë e madhe për mua. Ishte viti im i parë që luajta me skaudrën e parë dhe po në këtë vit arritëm që të fitojmë Kupën e Kosovës. Në vazhdim, unë rregullisht isha pjesë e skuadrës së parë edhe në garat ndërkombëtare. Edhe aty arritëm sukses duke kaluar raundin e parë dhe ishte një ndjesi e veçantë.

LAJMI.NET: Po suksesi me Kosovën? Si ishte ndjenja ta stolisësh vendin tënd me medaljen e artë?

Ismaili: Po sigurisht se ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme. Këtë sukses e konsideroj si suksesin më të madh, pasi me Kosovën u shpallëm edhe kampionë evropian të divizionit C, por edhe ndjesia e përfaqësimit të shtetit tënd e bën rëndësinë më të madhe.

LAJMI.NET: Në fund të vitit, nga Komuna e Prishtinës pranove çmimin si “Shpresa e Vitit” për 2018, cili ishte çelësi i gjithë këtij suksesi?

Ismaili: Padyshim se eksperienca e kampionatit evropian me U-18 si dhe paraqitjet me Prishtinën më ndihmuan shumë të formohem si lojtar. Unë fitova një vend edhe në përfaqësuesen A të Kosovës, dhe në ndeshjen kundër Rumanisë isha startues, duke u bërë lojtari më i ri në një lojë kombëtare. Të gjitha këto më ndihmuan shumë, por unë duhet të falenderoj dikë në veçanti. Është trajneri Albert Sylejmani personi me të cilin kam bërë stërvitje individuale për një kohë të gjatë. Gjithashtu falenderoj familjen për mbështetjen që më kanë dhënë në çdo hap.

LAJMI.NET: Cili është synimi i Meritonit?

Ismaili: Unë do të vazhdoj me punën e palodhshme dhe do të mundohem që të jap kontributin tim me skuadrat aktuale. Por, shpresoj se një ditë do të jem i gatshëm të paraqitem në ndonjë skuadër të EuroLeague.

Lajmi.net gjithashtu ka siguruar edhe një intervistë me trajnerin Albert Sylejmani, i cili ka qenë personi kyç për suksesin e Meritonit.

Sylejmani, i cili së fundmi është emëruar trajner i përfaqësues së Kosovës U-16 ka treguar për lajmi.net se si ia doli që të punojë dhe të nxjerrë maksimumin nga Meritoni.

Ai madje ka komentuar edhe trajnerin Mulaomerovic dhe besimin që ai po jep për lojtarët e rinj në Kosovë, duke e cilësuar si të rëndësishëm për pjekjen e tyre në lojë.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë me trajnerin Sylejmani.

LAJMI.NET: Meritoni aktualisht është një prej basketbollistëve më premtues në Kosovë, gjë për të cilën u shpërblye edhe nga Komuna e Prishtinës. Cila është ndjenja jote si trajner për suksesin e tij?

Sylejmani: Besoj se puna që ka bërë Meritoni me mua për 4 vite me radhë dhe mundi jonë u shpërblyen këtë vit për shkak se me skuadrën Prishtina e Re kategoria U18 fitoi Kupën e Kosovës dhe u shpall MVP i garës. Për këto vite kemi ushtruar pothuajse çdo ditë në ora 06:00 të mëngjesit dhe më besoni se nuk ka qenë aspak e lehtë, por dëshira dhe vullneti për të arritur rezultate sa më të mira kanë qenë ndihmesë në rrugëtimin e Meritonit. Poashtu, Meritoni ka qenë lojtari kyç edhe me përfaqësuesen U18 ku pati paraqitje shumë të mira në çdo aspekt.

LAJMI.NET: Nga të gjithë lojtarët e rinj që ke punuar me ta, cila është pika e fortë e Meritonit që ia mundëson atij paraqitjet në këto nivele të lojës?

Sylejmani: Meritoni ka karakter shumë të fortë, i pranon vërejtjet dhe sugjerimet e trajnerit gjë që e bën më të lehtë punën e trajnerit.

LAJMI.NET: A mendoni se besimi i Mulaomerovic për lojtarët e rinj është ajo që i mungoi basketbollit tonë në të kaluarën? A ishte kjo një pikë kyçe për suksesin e Meritonit?

Sylejmani: Padyshim që trajneri Damir Mulaomerovic po i jep hapësirë disa lojtarëve të rinj, në veçanti Meritonit, por ky besim i tij po justifikohet me formën e mirë që po kalon Meritoni.

LAJMI.NET: Së fundmi jeni emëruar trajner i përfaqësueses U-16. Në të kaluarën keni arritur suksese si udhëheqës i gjeneratës U-18, kujtojmë suksesin në Mal të Zi, Holandë dhe Austri. Cili është synimi dhe ku mendoni se mund të arrini me U-16?

Sylejmani: Në atë kohë derisa unë isha selektor për U18 kemi pasur gjeneratën e lojtarëve 1995/96, gjeneratë që do ta kërkojmë gjatë tek gjeneratat e reja. Në atë përfaqësuese kishim edhe gjatësi që sot na mungon, poashtu edhe vullneti për punë tek të rinjët ishte më i madh sesa në ditët e sotme.

Ndërsa këtë vit synimi im me përfaqësuesen U16 është që të krijoj një përfaqësuese të përgatitur mirë në aspektin fizik, të jenë luftarak dhe të japin maksimumin e tyre për përfaqësim sa më dinjitoz në kampionatin Evropian.

Shpresojmë që të dy të lartëpërmendurit të vazhdojnë me sukseset në karrierën e tyre. Puna e Meritonit do t’i sillte skuadrave kosovare suksese dhe trofe, mirëpo puna e Sylejmanit do t’i sigurojë Kosovës brezat e rinj edhe për një kohë të gjatë. /Taulant Gashi/ Lajmi.net/