lajmi.net

Interesim i madh i qytetarëve për t’i kontrolluar gjobat online

Qytetarët e Kosovës kanë shfaqur interesim të madh për t’i kontrolluar gjobat përmes platformës online, të prezantuar së fundi.

Lajme

10/07/2018 11:28

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se për një periudhë shumë të shkurt statistikat tregojnë se kërkesa ka arritur 61.000 shfletime të platformës online.

“Falënderojmë qytetarët për mbështetjen dhe përdorimin e aplikacionit për kontrollin e gjobave si dhe përkrahjen e ofruar gjatë këtyre ditëve. Gjatë javës së fundit të lansimit të aplikacionit është shfaqur interesim i madh për të vizituar faqen për kontrollim të gjobave në trafik, ku për një periudhë shumë të shkurt statistikat tregojnë se kërkesa ka arritur 61.000 shfletime. Ne si Ministri do të vazhdojmë me projekte inovative në të mirë dhe lehtësim të shërbimeve për qytetarët”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës.

Ndryshe, pas lansimit të këtij aplikacioni, në media një kohë qarkulluan informata se të dhënat personale nuk janë të sigurta. Mirëpo, kjo gjë u mohua nga Policia e Kosovës gjatë të hënës.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka sqaruar se mbrojtja e të dhënave personale në ueb modulin për kontrollin e gjobave në trafik është në përputhje të plotë me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe se të gjitha të dhënat e shfaqura janë të enkriptuara sipas standardeve për enkriptim.

Lansimi i këtij ueb-moduli si fazë testuese ka filluar me datën 06.07.2018, në ueb faqen e PK-së, ku është instaluar ikona “Gjobat në trafik”, ku pas klikimit në të njëjtën dhe ofrimin e të dhënave si numri personal, emri dhe mbiemri, çdo qytetar do të ketë mundësi t’i gjejë sa tiketa të papaguara i ka, numrin e tiketës, në cilin stacion janë shqiptuar dhe sa e kanë vlerën.

Në këtë link mund të merrni informatat rreth gjobave në trafik.

LM