Interesim i investitorit francez për një fabrikë në Mitrovicë

Investitorë të ndryshëm nga Franca kanë qëndruar të enjten në Mitrovicë, ku gjatë takimit me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë shprehur interesimin për të filluar me investime në sektorin e prodhimit të materialeve elektrike.

Lajme

15/05/2014 19:36

Timenez Faustino tha se ka një bashkëpunim të gjatë me kompanitë kosovare dhe se tash ka vendosur të hapë një kompani për prodhimin e materialeve elektrike në Mitrovicë, raporton KosovaPress.

Ai tha se kompania e tij fillimisht do të bëjë trajnimin e stafit këtu, pasi materiali i cili do të importohet këtu është specifik.

“Ne jemi të vendosur të bëjmë hapjen e kompanisë këtu në Kosovë. Fillimisht, punëtorët lokalë do t`i trajnojmë për përdorimin e materialit specifik që vjen nga Franca, në mënyrë që ata të përgatiten për punë”, tha Faustino.

Sipas tij, prodhimet nga kjo kompani do të eksportohen për në tregun evropian dhe posaçërisht në atë të Francës.

Në anën tjetër, kryetari Bahtiri premtoi mbështetje për investitorët nga Franca në realizimin e objektivave të tyre.

Sipas tij, investuesit do të kenë shumë lehtësira pasi tash është krijuar zona e lirë ekonomike, ku do të ofrohen mundësi të mira për investime të huaja.

(KosovaPress)