Interesim i biznesmenëve turq për investime në Gjilan

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, dhe drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ismajl Jonuzi, kanë pritur të mërkurën kryetarin e Shoqatës “Kosova”në Turqi, Rexhep Gonduz dhe biznesmenë të suksesshëm nga Turqia të cilët janë me prejardhje shqiptare.

Lajme

25/06/2014 20:28

Në takimin e zyrtarëve të Komunës dhe biznesmenëve turq në Gjilan është biseduar për mundësinë e bashkëpunimit dhe mundësinë e investimeve të biznesmenëve nga Turqia në Gjilan, si dhe për mundësitë që ju ofrohen atyre për investime, njofton KosovaPress.

“Sot kemi për vizitë miqtë tanë nga qyteti i Bursës dhe së shpejti edhe ne do të realizojmë një vizitë atje, ku do të marrim praktikat më të mira se si të lëvizim përpara drejt zhvillimit. Kjo është një vizitë me karakter pune dhe e tillë do të jetë edhe vizita jonë atje në të ardhmen. Këta përfaqësues të fabrikave me renome botërore kanë shprehur gatishmërinë për investime në Gjilan e Kosovë. Investimet e tyre në Gjilan janë investim në qytetin e tyre dhe në vendin e tyre, sepse këta janë qytetarë gjilanas që janë shpërngulur për në Turqi në kohën e represionit serb”, ka thënë Kadriu.

Sipas Rexhep Gonduzit, veprimet për bashkëpunim dhe zhvillim kanë nisur nga viti 2004, kur Gjilani është binjakëzuar me komunën e Bursës, pastaj ka vazhduar binjakëzimi me mbi 30 shkolla të Kosovës dhe atyre nga Turqia.

“Bashkëpunimi ka nisur menjëherë pas çlirimit të Kosovës. Ne sot kemi ardhur që të njoftohemi me udhëheqjen e re të Komunës, po ashtu për njohje me klimën për investime, si dhe për shkëmbimin e përvojave. Ne nga ju do të mësojmë diçka, por edhe ju do të mësoni diçka nga ne. Kemi kulturë dhe traditë të ngjashme, presim zhvillim dhe ndërtim”, ka thënë Gonduz.