Interesi strategjik i shqiptarëve në Ballkan

Nuk ka pengesë më të madhe për faktorizimin shqiptar në Ballkan, me forcimin e shtetit të Kosovës, atij të Shqipërisë, dhe të shqiptarëve në shtetet përreth, se sa vetë skenat politika shqiptare këtu dhe në Shqipëri

Lajme

30/04/2017 14:53

Zgjedhja e Talat Xhaferit në postin e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, të enjten, me 27 prill, në rrethana krejtësisht të njohura për të gjithë ne, pas reagimeve që pasuan në Maqedoni, në Kosovë, në Shqipëri, në Serbi, por edhe në Bruksel dhe në Washington, mori peshën dhe rëndësinë që askush nuk ka mundur ta parasheh pak çaste para se Xhaferi të emërohej në këtë detyrë.  
Kështu, mënyra e zgjedhjes së tij, vet caktimi i tij në këtë post, por mbi të gjitha orteku i reagimeve në rajon, e bëri Xhaferin një personalitet që solli me vete, me këtë emërim të tij, një ‘Raport’ të sakt, më të saktin për vite të tëra, për gjendjen në Maqedoni dhe në rajon.
Për më shumë, kjo ngjarje bartë në vete potencialin politik të vlerësimit të drejtimit politik strategjik që kanë Kosova, Shqipëria por edhe shqiptarët në përgjithësi, në këto anë të Evropës. Natyrisht, diçka e tillë vështirë që mund të ndodhë në aktualitetin politik në Prishtinë dhe në Tiranë, që mbizotërohet nga ethet parazgjedhore.
Pra, nuk mund të pritet që këndejpari, ose në Tiranë, autoritetet zyrtare të Kosovës dhe të Shqipërisë, do të gjejnë kohë të mirren si duhet me pasojat e ngjarjeve të fundit në Maqedoni dhe në rajon, për rrugëtimit politik të shqiptarëve në Kosovë, në Shqipëri dhe në Ballkan.
Sidoqoftë, çfarë u bë me 27 prill në Shkup, është një tjetër dëshmi e arritjeve politike shqiptare të cilat të kthejnë prapa, sa i përket rrjedhës politike dhe historike në rajon dhe në Evropë, në 9 nëntorin e vitit 1989-të, kur në Berlin nisi prishja e Murit, dhe tok me te, edhe shpartallimi i Komunizmit dhe i një Rendi Ndërkombëtarë të krijuar pas vitit 1945-të, me fitoren e Perëndimit ndaj Bashkimit Sovjetik.
Në gjithë historinë e ditur të shqiptarëve, nuk ka pasë për shqiptarët Rend Ndërkombëtarë më të mbrapsht dhe më të keq se sa ai që nihej edhe si ‘Lufta e Ftohtë’ midis SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik.
Ky Rend na bënte humbës të mëdhenj, veçmas neve, shqiptarëve të Kosovës  (por gjithsesi edhe Shqipërinë), sepse na ndante në mënyrë të prerë prej Evropës dhe Perëndimit, na pamundësonte qeverisjen me veten dhe vendosjen për fatin tonë, na bënte të subordinuar ndaj autoriteteve të Beogradit.
Shqiptarët janë gjithsesi fitues të mëdhenj të shkatërrimit të këtij Rendi, të fundit të epokës së ‘Luftës së Ftohtë’, dhe për më shumë, të marrjes së epilogut, në dobi tonën, të gati një shekulli robëri, si shqiptarë të Kosovës, e cila iu qep fundit të Perandorisë Osmane në Ballkan dhe krijimit të shtetit shqiptar.
Një rekapitulim i kësisojt, është i domosdoshëm në rrethanat e tanishme ballkanike, pos tjerash, sepse neve, si politikë shqiptare, këtu në Prishtinë dhe atje në Tiranë, na ndodhë shpesh që të harrojmë se ku kemi qenë, në atë hartën politike dhe gjeografike të Evropës, vetëm një çerek shekulli më parë, dhe poashtu, ku kanë qenë shtetet dhe popujt e tjerë të kësaj ane të Evropës, deri në nëntorin e vitit 1989-të.
Nga ky pikëshikim, s’do mend që interes strategjik i Kosovës, i Shqipërisë, por edhe i të gjithë shqiptarëve në Ballkan është që të vazhdojë periudha e paqes dhe e zhvillimeve politike të cilat njohin si busollë orientimi Brukselin  (Paktin NATO dhe Bashkimin Evropian).
Në këtë aspekt, një kontribut evident në dobi të këtij interesi strategjik është vendimi i Kuvendit të Malit të Zi për tu inkuadruar në Paktin NATO. Kosova pra se shpejti do të kufizohet me dy shtete anëtare të Paktit NATO  (Shqipërinë dhe Malin e Zi), ndërsa Maqedonia mund të bëhet brenda pak viteve anëtar tjetër i Aleancës veri-atlantike, me të zgjedhur të kontestit të emrit me Greqinë.
Prania e Paktit NATO në Kosovë  (përmes KFOR-it), përgatitja e Kosovës për të hyrë në Paktin NATO  (pas transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës), dhe inkuadrimi i Malit të Zi në NATO Pakt, tetë vite pas Shqipërisë  (e cila u pranua në këtë Pakt në vitin 2009), të gjitha këto elemente ushtarake por edhe politike, nuk kanë si të mos e fuqizojnë interesin strategjik të Kosovës, të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Nuk është për tu habitur pra, nëse ngjarjet dhe proceset analizohen nga ky pikëvështrim, pse ka pasë reagime të tilla politike në Maqedoni  (në krahun e VMRO-DPMNE të ish-Kryeministrit Nikolla Grujevski), në rajon (në Serbi), por edhe në Moskë, kundër emërimit të një politikani shqiptar në krye të Kuvendit të Maqedonisë, thuajse prej tij varet fati i Evropës Juglindore.
Nuk është për të çuditur pra, kush dhe pse flet për luftëra të reja në Ballkan, kush dhe pse synon që në Maqedoni të provokojë një konflikt me prapavijë etnike, kush dhe pse shpreson (madje, edhe punon) që do të ndodhë një dyzim i esktremizmit fetar me agjendat politike shqiptare, sepse vetëm me konflikte ushtarake, vetëm me tensione që kanë në vete bërthamën e përplasjes me qytetërimin evropian, mund të ndryshojë drejtimi politik i shqiptarëve, i cili do t’i faktorizon ata si asnjëherë më parë në këto anë të Evropës.
Paqja dhe kontuniteti i një Rendi ndërkombëtar që zëvëndësoi atë të ‘Luftës së Ftohtë’, është interes jetik i të gjthë shqiptarëve.
Për shkaqe shumë mirë të njohura për të gjithë ne, skenat politike shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri, me zhvillimet brenda tyre, jo vetëm që kanë lënë pas pasurimin dhe fuqizimin e këtij drejtimi strategjik politik të shqiptarëve, por për më shumë, kanë krijuar rrethanat kur herë më pak e herë më shumë konstatohet dëmtimi i këtij rrugëtimi pro-perëndimor (pro-evropian dhe pro-amerikan), qoftë edhe me vendnumërim, apo edhe me kërkim të pseudo-alternativave strategjike.
Janë këtë tendenca vetë-rrënuese brenda nesh, me të cilat mirremi fare pak.
Zatën, nëse jemi të sinqertë ndaj vetëvetes, nuk ka pengesë më të madhe për faktorizimin shqiptar në Ballkan, me forcimin e shtetit të Kosovës, atij të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në shtetet përreth, se sa vetë skenat politika shqiptare këtu dhe në Shqipëri.
Koha politike në rajon dhe në Evropë, me rrjedhën e saj, na shkon për shtati.
Është ky një rast i madh historik dhe politik që duhet të shfrytëzohet prej politikanëve në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilët duhet lënë menjanë  (mbase, një herë e përgjithmonë), atë patriotizmin tradicional që është ndërtuar mbi humbjet e mëdha dhe tragjike historike, për të përqafuar një patriotizëm bashkëkohor që është refleksion i zhvillimeve ndër ne, në rajon dhe në Evropë, që prej vitit 1989-të e këndej.
Thelbi i këtij patriotizmi është të qenit evropian, perëndimor dhe pro-amerikan.