Inter mbetet pa tifozë

Inter do të jetë pa tifozët e Curva Nord, deri në ndeshjen e tretë si nikoqir të sezonit të ardhshëm. Mbështetësit e Nerazzurrëve janë ndëshkuar pas fyerjeve ndaj Mario Balotellit në derbin e Milanos.

Sport

07/05/2014 17:24

Dënimi ishte i pritur, dhe erdhi. Për fyerjet raciste ndaj sulmuesit të Milanit, Mario Balotelli, dhe koret ofenduese ndaj Napolit, Gjykata Sportive ka shtuar edhe për një ndeshje, suspendimin e tribunës Curva Nord të Interit, duke e dërguar ndëshkimin nga dy, në tri takime.

Dënimi fillestar prej dy ndeshjesh pa tifozë në sektorin e Ultrasëve, erdhi më 29 prill pas ballafaqimit mes Interit dhe Napolit.

Mirëpo, edhe një takim shtesë si ndëshkim, erdhi pas derbit me Milanin të dielën e shkuar ku mbështetësit e Nerazzurrëve ofenduan sulmuesin e Rossonerëve, Mario Balotelli.

Andaj, Inter nuk do të ketë ndihmën e sektorit më të zëshëm të tifozëve këtë sezon, por edhe për dy ndeshjet e para si nikoqir të sezonit të ri.

Fillim jo i mirë i edicionit të cilin presidenti Erick Thohir synon ta fillojë si konkurrent për titullin e kampionit në Serie A.