Inter kërkon fitoren ndaj Sampdorias për dalje nga kriza

Inter takohet me Sampdorian në xhiron e radhës në Serie A.

Sport

22/09/2018 13:49

Fitorja ndaj Tottenham Hotspur në Champions League ka rikthyer entuziasmin te Interi me zikaltrit që synojnë të bëjnë kthesën edhe në Serie A pas një starti shumë të dobët që i kanë bërë sezonit me vetëm 4 pikë të grumbulluara në 4 ndeshje.

Sot në mbrëmje në orën 20:30 skuadra e Spallettit sfidon Sampdorian në Marassi. Përballë dorianëve Interit i ka ecur pothuajse gjithmonë pasi Sampdoria është një nga ekipet ndaj të cilëve zikaltrit kanë një bilanc të shkëlqyer.

Sampdoria është edhe ish skuadra e kapitenit Mauro Icardi por edhe preja e preferuar e argjentinasit në Serie A, pasi që kur është bërë pjesë e Interit, Icardi i ka shënuar 11 gola Sampit më shumë se çdo skuadre tjetër.

Pas 4 javëve të para Sampdoria ka grumbulluar 7 pikë teksa ka regjistruar edhe dy fitore fantastike 3-0 ndaj Napolit në Marassi dhe 0-5 ndaj Frosinones në transfertë. Pikërisht me këtë rezultat e mposhte Interi, Sampdorian sezonin e kaluar në Luigi Ferraris me Icardin që shënonte 4 gola. Si për ironi të fatit edhe në atë periudhë Interi ishte duke kaluar një moment shumë të vështirë, një ogur i mirë kjo për të marrë tre pikët sot, transmeton “SS”.

Spalletti do të ketë sërish në dispozicion D’Ambrosion ndërsa është rikuperuar edhe Lautaro Martinez i cili gjithsesi do ta nisë ndeshjen nga stoli. E shtuna e Serie A do të hapet me sfidën Parma-Cagliari në orën 15:00 ndërsa në orën 18:00 në Supersport do të keni mundësi të ndiqni edhe takimin mes Fiorentinës dhe surprizës Spal, një ndeshje në të cilën vjollcët e Piolit do të kërkojnë të rikthehen te fitorja.