Inter fillon punën për sezonin e ri

Inter ka filluar planifikimin e punës për sezonin e ri.

Sport

22/05/2018 13:44

Pasi siguroi pjesëmarrjen në Champions League edicionin e ardhshëm, Interi vendosi të mos humbasë kohë e të nisë menjëherë punën për sezonin e ri.

Pika e nisjes do të jetë pikërisht trajneri Luciano Spalletti, me të cilin drejtuesit e klubit zikaltër do të zhvillojnë një takim për kontratën e tij të re, që do të zgjatet deri në vitin 2021, e shoqëruar edhe me një rritje të pagës.

Po kështu, në qendër të vëmendjes së Interit është edhe çështja e kontratës së Icardit. Edhe në rastin e kapitenit, zikaltrit janë drejt rinovimit, ndërkohë që planet e merkatos nuk bien aspak në plan të dytë, transmeton “TCH”.

Në këtë pikë, Interi duhet të jetë aktiv si në aspektin e blerjeve, ashtu dhe atë të shitjeve. Për sa u përket përforcimeve, zikaltrit kanë siguruar tashmë De Vrij, Lautaro Martinez dhe Asamoah, ndërkohë që së fundmi është menduar edhe për Strootman, e sidomos për lojtarë të rinj italianë si Verdi apo Politano.

Ëndrra e vërtetë duket është Federico Chiesa. Por, së fundmi, në vëmendjen e drejtuesve të klubit zikaltër duket se është vënë edhe Justin Kluivert, djali i ish-sulmuesit të përfaqësueses holandeze, Patrick Kluivert.