Inteligjenca artificiale e Google shkruan një algoritëm misterioz kriptografik

Një grup nga projekti i Google për studimin e inteligjencës artificiale (IA), Google Brain, ka postuar në arXiv, më 21 tetor, një artikull në të cilin përshkruhet se si një çift prej dy IA-sh ka krijuar algoritmin e vet kriptografik për kodimin e mesazheve në mënyrë të tillë që një IA e tretë të mos jetë në gjendje t’i lexojë ato.

Auto & Tek

31/10/2016 19:24

Mënyra e fshehjes së informacioneve ka qenë mjaft e thjeshtë, megjithatë shkencëtarët e Google nuk e dinë se si funksion. Meqë IA nuk pritet që të jenë shumë të afta për këtë lloj veprimi, edhe një mënyrë e thjeshtë kodimi e dekodimi është një hap i madh para dhe tregon aftësi për të mësuar.

Kriptografia është shkencë e cila studion metodat e mbrojtjes së informacionit të shkëmbyer mes dy individëve nga persona të tretë, të cilët mund të arrijnë ta posedojnë. Ideja është që edhe nëse dikush tjetër arrin ta shohë informacionin, ai apo ajo nuk do e kuptojë dot dhe për pasojë të fshehtat nuk do të zbulohen. Kjo mënyrë e fshehjes së informacionit ka qenë e rëndësishme në situata të ndryshme, sidomos në luftëra, dhe është ende e rëndësishme sot pasi që formon bazën e komunikimit tonë përmes internetit. Mënyra se si arrihet fshehja e informacionit zakonisht bazohet në një çelës, të cilin e posedojnë dërguesi dhe marrësi i përcaktuar i mesazhit, dhe algoritmet përmes të cilave mesazhi kodohet nga dërguesi dhe dekodohet nga marrësi.

Sistemi kriptografik i Google është përbërë nga tre AI: Alice, Bob dhe Eve. Atyre nuk u janë mësuar metoda kodimi apo dekodimi, apo ndonjë gjë tjetër një lidhje me kriptografinë. Thjesht u është dhënë një çelës për komunikimin mes Alices dhe Bobit dhe u janë dhënë kushtet, në të cilat do të do të dështonin në detyrën e tyre. Detyra e Alices ishte t’i dërgonte Bobit një mesazh në mënyrë të tillë që Eva, e cila gjithashtu do e shihte mesazhin, të mos mund ta kuptonte atë. Në rast se Eva arrinte ta dekodonte mesazhin, Alice dështonte. Detyra e Bobit ishte të merrte mesazhin e koduar, të dërguar nga Alice, dhe të përdorte çelësin që kishte për ta dekoduar atë. Nëse nuk e dekodonte dot, ai dështonte. Detyra e Evës ishte të dekodonte mesazhin që Alice i kishte dërguar Bobit pa pasur çelësin. Nëse nuk e dekodonte dot ajo dështonte.

Të tre AI janë të përbëra nga rrjetet neurale, pra sistemet kompjuterike të bazuara në neurone artificiale. Pra, truri i tyre përpiqet të jetë një model artificial i trurit tonë. Fillimisht, mesazhet nuk ishin mjaftueshëm të fshehta. Bobi i lexonte me lehtësi, por të njëjtën gjë bënte dhe Eva. Kjo zgjati për rreth 7000 mesazhe, të cilat përbëheshin nga një rresht prej 16 zerosh e njëshash. Gjatë dërgimit të 6000 mesazheve pasuese, Alice dhe Bobi krijuan mënyrën e tyre të fshehtë të kodimit e dekodimit të mesazheve. Eva nuk arrinte t’i zbulonte këto mesazhe dhe vazhdimisht gabohej në shtatë apo tetë shifra nga 16 që kishte i gjithë mesazhi. Kjo do të thotë se përgjigjet e Evës ishin po aq të sakta sa do të ishin po të përpiqej t’ia qëllonte pa përdorur asnjë rregull.

​Shkencëtarët nuk e kanë analizuar algoritmin e përdorur nga Alice dhe Bob. Ai duket i thjeshtë, padyshim më i thjeshtë se algoritmet e krijuar nga njerëzit, të cilat i përdorim ne sot, por nuk ishte thjesht XOR (përdorim i një porte të thjesht logjike e cila jep rezultat 1 ose “saktë” në rastet kur informacionet hyrëse janë të ndryshme, 0 dhe 1, apo një “saktë” dhe një “gabuar”). Gjithashtu, mesazhi i koduar përbëhej nga numra decimal, jo 0 dhe 1.

Më tej, shkencëtarët e Google planifikojnë t’i mësojnë IA-të të përdorin metoda të tjera fshehjeje informacioni, si për shembull steganografi (fshehje informacioni brenda një dokumenti të ndryshëm si p.sh. brenda fotografive) dhe kodim asimetrik (me çelës publik).