Integrimi i ish-pjesëtarëve të MUP-it

Procesi i integrimit të ish-anëtarëve të MUP-it serb në Policinë e Kosovës, është një sukses i madh, thotë ambasadori i Britanisë, Ian Cliff. Sipas tij, ky proces i integrimit të policisë është një aspekt i rëndësishëm për dialogun dhe për fuqizimin e ligjit.

Lajme

10/04/2014 11:42

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff,  integrimin e ish-anëtarëve të strukturave paralele të Serbisë në Policinë e Kosovës, e sheh si një proces të mirë.

Ai në fjalimin e tij në konferencën me temën “Integrimi i ish-Anëtareve të strukturave paralele në Policinë e Kosovës”, të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se ky proces ndikon në integrimin e gjithë komunitetit serb në institucionet e Kosovës.

“Mezi presim të shohim fuqizimin e sundimit të ligjit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe qartazi ky proces i integrimit të policisë është një aspekt i rëndësishëm si i dialogut ashtu edhe fuqizimit të ligjit”.

“Unë e di se ka disa komente në raport lidhur me kohëzgjatjen e trajnimit në Vushtrri, të ish-zyrtarëve të MUP-it, por në tërësi ne e shohim si proces të shquar duke marrë parasysh marrëdhëniet e mëparshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, para se dialogu të fillojë, duke marrë parasysh mesazhet që janë dhënë tek shumica e popullatës në Kosovën Veriore, të cilët nuk po merreshin me institucione e Kosovës”.

“Prandaj, mendoj se ky proces i integrimit ka qenë një sukses i madh, duke filluar me mbylljen e zyrave të pjesëtarëve të MUP-it, si dhe procesin e integrimit që është përshkruar këtu, dhe ashtu siç unë e kuptoj, ende ka mbetur për t’u bërë, le të themi, procesi i detajuar ku verifikim duhet të bëhet në mënyrë të detajuar”.

Ndërkaq, Florian Qehaja, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se procesi i integrimit të anëtarëve të MUP-it, ka mbetur mbrapa afateve kohore.

“Procesi si i tillë ishte shumë jo transparent dhe opinioni publikë në tri vende nuk ka njohuri lidhur me procesin e implementimit. Kemi kënaqësinë që sot të ndajmë gjetjet që lidhen me çështjet e ndryshme të verifikimit të sigurisë së këtyre pjesëtarëve, trajnimet, themelimin e komandës së policisë etj ”, ka thënë Qehaja.

Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori  Norvegjisë, Jan Barthu, i cili po ashtu e vlerësoi si të mirë këtë proces, pro tha se ky proces duhet bërë hap pas hapi.

“Mendoj se kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë, nuk ka të bëjë vetëm me elitën, por ka të bëjë me njerëzit, dhe njerëzit duhet të ndjehen të sigurt në këtë proces, ky është një proces i vështirë, raporti po ashtu e sjellë këtë pikë”, ka thënë Barthu.