Integrim me Strategji

Për Presidenten Jahjaga miratimi i kësaj strategjie nënkupton fillimin e punës praktike, ndërsa për Ministren Çitaku strategji parasheh zhvillimin e mëtejshëm të qeverisjes.

Lajme

07/10/2013 21:25

Këshilli Kombëtar për Integrim Evropian ka miratuar sot Strategjinë e parë Kombëtare për Integrim Evropian të Republikës së Kosovës me një konsensus nga të gjitha institucionet, partitë politike, shoqëria civile, komuniteti akademik dhe i biznesit, si dhe akterët tjerë relevantë të shoqërisë.

Dokumenti përmban punën dhe konsultimin njëvjeçar të më se 1000 pjesëmarrësve dhe ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët kontribuuan në analizimin e gjendjes së tanishme, sfidave dhe identifikimin e qëllimeve që Kosova duhet t’i përmbushë deri në vitin 2020 për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Për Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, miratimi i kësaj strategjie nënkupton fillimin e punës praktike dhe institucionale për ndërtimin dhe fuqizimin e  mëtutjeshëm të konsensusit të gjerë mbarëkombëtar për integrim evropian.

“Ne jemi në një moment të rëndësishëm, kur po hapim një fazë të re ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me lansimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

“Është me rëndësi që gjatë tërë këtij procesi, qytetarët, dhe në veçanti sektori privat, të jenë të informuar rregullisht për ndikimin e reformave të MSA’së, dhe në këtë aspekt, si institucionet ashtu edhe komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile, kanë një rol të veçantë për të kontribuar”.

“Integrimi evropian është kuptuar drejt si i vetmi opsion, i paalternativë, për zhvillimin demokratik dhe përparimin e Kosovës. Këtë detyrim të përafrimit të vendit tonë me BE’në na duhet ta përmbushim, pavarësisht sfidave të brendshme që po i sjell ky proces reformues”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora  Çitaku tha se ajo që e bën këtë strategji unike janë pjesmarrësit dhe kontributi nga gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë proces dhe për dallim prej strategjive tjera, kjo strategji është rezultat vendor i cili “reflekton sfidat dhe prioritizon nevojat ashtu siq ne i shohim ato”.

“Kjo strategji parasheh zhvillimin e mëtejshëm të qeverisjes, përmirësimin e hartimit dhe zbatimit të politikave, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin ndër shoqëror dhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërshtetëror”.