Institucionet nuk formohen pa PDK-në

Pa Partinë Demokratike të Kosovës nuk do të mund të formohen institucionet. 

Lajme

04/11/2014 07:47

Kështu ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së, Idriz Vehapi.

Vehapi, i cili njëherësh është edhe kryetar i Komunës së Rahovecit, thotë se PDK-ja ka qenë gjithmonë e hapur për diskutim me të gjitha partitë, andaj ai thotë se , duke respektuar vendimin e Kushtetueses, përmes një marrëveshje, të tejkalohet ngërçi.

“PDK ka qenë dhe është gjithmonë e hapur për të diskutuar me të gjitha subjektet politike që janë në Kuvendin e Kosovës. Është në interes të qytetarëve të zgjidhet ngërçi politik, i cili ekziston tash e sa muaj. Rregullat ekzistojnë për çdo çështje dhe ato duhet të respektohen. Prandaj, është e nevojshme të ketë edhe marrëveshje për formimin e institucioneve”, ka thënë ai, në një intevistë dhënë për “Epoka e Re”.

Vehapi mendon se edhe partitë e Bllokut do të reflektojnë dhe shumë shpejt do të formohen institucionet me PDK-në.

“Besoj se do të ketë reflektim edhe nga ana e tyre. Jam optimist se do të kemi institucione të reja, sepse opsioni i zgjedhjeve është i fundit”.

“Nëse mbahen zgjedhjet e reja, ndoshta mund të formohen institucionet pa PDK-në, por me këto zgjedhje dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk ka logjikë të ndodhë kjo. Pra, pa PDK-në nuk mund të formohen institucionet sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se PDK-ja ka të drejtën për t’i zgjedhur institucionet, kryetarin e Kuvendit dhe të drejtën për nominimin e mandatarit të qeverisë”, ka thënë Vehapi.