Institucionet heshtin pas lirimit të Enver Sekiraqës

24 orë pas lirimit nga paraburgimi të Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, institucionet dhe organet e drejtësisë vazhdojnë të heshtin dhe nuk komentojnë vendimin e Gjykatës së Apelit. E njohës të proceseve gjyqësore thonë se vendimi i Apelit, flet për dështimin e sistemit të drejtësisë kur përmendet profili i lartë.

Lajme

20/10/2017 21:25

Institucionet vazhdojnë të heshtin edhe 24 orë pas lirimit nga paraburgimi të Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Askush nga organet e drejtësisë nuk ka dashur ta komentojë vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila vendosi që Enver Sekiraqa të qëndroj në arrest shtëpiak.

E zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, përmes një përgjigjeje të shkurtër, ka thënë se vendimi u mor pas shqyrtimit të kolegjit profesional prej tre gjyqtarësh, dy nga radhët e EULEX-it dhe një vendor të Gjykatës së Apelit. Sipas Jasharit, arsyetimi i këtij vendimi për të ndryshuar masën e paraburgimit për të pandehurin nga masa e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak do të përfshihet në vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit.

Me gjithë përpjekjen gjatë gjithë ditës, RTK nuk ka arritur të kontaktojë Shefqet Rizën, babai i policit të vrarë Triumf Riza. Ndërsa ai në një prononcim mbrëmë kishte thënë se është tepër e çuditshme që të lirohet njeriu i dënuar 37 vjet burgim. “Nuk mundem me marrë me mend këtë. Zoti na rujtë”, ka thënë Riza.

Pas vendimit të Apelit për lirimin e Enver Sekiraqës ka reaguar edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Në profilin e saj në FB ajo ka shkruar: ”E mbaj mend fare mirë, gjatë viteve të 90’ta, vajzat e Prishtinës më shumë kanë pasur frikë nga Enver Sekiraqa, se nga policia e Serbisë. Një kriminel ordiner, i përfshirë në dhunime, zhvatje, vrasje, sot është i lirë. Kjo puna e burgut shtëpiak është hajgare. Nga gjyqtarë të EULEX-it dhe të Kosovës. Marre!

E njohës të proceseve gjyqësore thonë se vendimi i Apelit, flet për dështimin e sistemit të drejtësisë kur përmendet profili i lartë. Ehat Miftari nga IKD thotë se vetë mënyra se si është bërë publik vendimi vetëm përmes avokatit flet për brishtësinë dhe jo seriozitetin që e kanë gjykatat në Kosovë.

Enver Sekiraqa është dënuar nga Gjykata e shkallës së parë për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza, më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.