Institucionet e mbyllura, kush po selekton mediat ?

​Në përgjithësi institucionet e Kosovës po mbyllen çdo herë e më shumë në raport me mediat, duke hezituar të kthejnë përgjigje në pyetjet e gazetarëve dhe atë më së shumti në kohë reale kur edhe iu duhen gazetarëve ato informacione.

Lajme

13/12/2015 15:05

Kjo praktikë është shumë e shpesh, dhe gazetarët po përballen çdo ditë me një gjë të tillë, duke iu vështirësuar kështu puna e tyre, pasi që ndodh të presin me ditë të tëra për të konfirmuar ndonjë informatë, apo të mos marrin fare ndonjë përgjigje.

Në mungesë të përgjigjes adekuate iu pamundësohet atyre realizimi i storieve të tyre, por edhe informimi i drejt i opinionit, pasi që gazetarët nuk janë ata që shpikin, por presin një përgjigje zyrtare nga institucionet përkatëse.

Një gjë e tillë i ka ndodhur shpeshherë dhe po vazhdon të iu ndodh gazetarëve të KosovaPress, duke ndikuar kështu në vonimin e informimit në kohë të duhur, sidomos nga Qeverisë së Kosovës dhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Por kjo nuk ndodh vetëm në një medium të vetëm. Se kjo shprehi i ndodh të gjitha mediumeve nga institucione të caktuara e konfirmon edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani, i cili thotë se institucionet e Kosovës po mbyllen çdo herë e më shumë në raport me mediat.

Ai tregon se ka shumë raste kur kolegët e tij gazetarë paraqiten në asociacion me ankesa se zyrtarët e institucioneve për kohë të gjatë nuk iu kthejnë përgjigje, ose i injorojnë fare.

Vështirësitë sipas tij hasen më së shumti te Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovës, të cilët njëkohësisht edhe bëjnë selektim të gazetarëve apo mediumeve të cilëve dëshirojnë të iu përgjigjen.

“Më e keqja është se disa institucione bëjnë selektim të mediave të cilave ua kthejnë përgjigjen dhe gazetarëve të caktuar. Konkretisht është me Komunën e Prishtinës e cila i zgjedh gazetarët të cilëve dëshiron të iu kthejnë përgjigje dhe temave që ata dëshirojnë të iu përgjigjen dhe disave veç ua mbyll dyert dhe nuk kanë qasje fare në informacion. Njëjtë është edhe me Qeverinë e Kosovës, zëdhënësi i cili veç është i caktuar prej kryeministrit për të kryer punë në raport me gazetarët. Ai nuk e kryen punën për çfarë është i thirrur, kjo po dëshmohet me mungesë të transparencës së këtij institucioni dhe mungesën e përgjigjeve në pyetje që iu dërgojnë gazetarëve”, tha Shabani.

Gazetari i Kohavisionit, Shkelqim Hysenaj, thotë se ky është një problem që çdo gazetarë gjatë raportimit të tij ditor e ka dhe përballët me të, duke i përfshirë këtu edhe kolegët e tij nga ky medium, i cili thotë se i ka dëgjuar shpesh herë të ankohen për këtë gjë.

Edhe Hysenaj pajtohet se zëdhënësi i Qeverisë, Arban Abrashi, është shumë i mbyllur karshi mediave, që sipas tij kjo ndodh për faktin se në të njëjtën kohë ai udhëheqë Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe kjo gjë i krijon vështirësi të kthej përgjigje në kohë reale në pyetjet të cilat ia dërgojnë gazetarët.

Ai tregon edhe për disa përvoja të veta, duke shtuar se ministrat në qeverisjen Mustafa janë edhe më të izoluar se nga qeverisja e kaluar.

 

“Personalisht mua më ka ndodhur jo vetëm në këtë qeveri, por edhe në qeverinë e kaluara që është drejtuar nga kryeministri Thaçi. Mirëpo krejt çka vërejmë nga qeverisja e kaluar dhe kjo e tanishme është fakti se ministrat e qeverisjes Mustafa janë edhe pak më të izoluar me mediat sesa që kanë qenë ata të qeverisjes së Thaçit. Vlen të theksohet fakti se nuk e kam parë ndonjëherë Ministrin e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës të deklarohet për media. Zakonisht kanë qenë zyra për informim që ka kthyer përgjigje në pyetjet për gazetarët. Një institucion tjetër që është vështirë të marrësh përgjigje është Ministria e Punëve të Brendshme, personalisht i kam bërë në fillim, kur Skender Hyseni është bërë ministër i punëve të brendshme, personalisht i kam dërguar kërkesa dy apo tre herë dhe nuk kam marrë përgjigjen për këto kërkesa, pavarësisht premtimeve për realizimin e disa temave që ishin në interes tonin”, tha Hysenaj.

Visar Sutaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për KosovaPress se në përgjithësi çështja e transparencës në institucionet publike të Kosovës është një problem që ende është prezentë në Kosovës dhe se kjo është theksuar edhe në Raportin e Progresit muaj më parë.

Sipas tij, vështirësitë krijohen më së shumti në informatat të cilat janë më komplekse dhe të cilat nuk plasohen fare nga institucionet përkatëse.

“Ne në partneritet me disa gazetarë dhe organizata të cilat merren me gazetari në përgjithësi, kemi parë se njëri prej problemeve është qasja në dokumente publike… Problemi është se gazetarët nuk respektohen në informatat që ata duan t’i marrin prej institucioneve politike dhe e njëjta gjë, e njëjta dukuri që ndodh në këtë sektor është edhe në shoqëri civile. Prandaj informatat të cilat janë më komplekse dhe donë më shumë punë nga institucionet ato informata ose nuk plasohen fare ose plasohen tek gazetarët dhe shoqëria civile në fraza të shpërndara, informata të cilat ne duhet të shpenzojmë kohë dhe aftësitë tona për t’i bërë së bashku në mënyrë që të na jap një pasqyrë më reale se çka është duke u bërë në atë institucion”, tha Sutaj.

Sipas Sutja, edhe agjencia anti-korrupsion i cili është dashur të jetë më i hapur ndaj publikut, është ndër institucionet më të mbyllura.

Përveç këtyre ka edhe shumë institucione të tjera, të cilat nuk janë aspak bashkëpunues me gazetarët, duke ia mohuar kështu publikut informimin e drejtë dhe të saktë./KosovaPress