Institucionet 30 ditë kohë t’i përgatisin listat për faljen e borxheve

Sot hynë në fuqi ligji për faljen e borxheve. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike janë të detyruara që brenda tridhjetë ditësh t’i identifikojnë dhe përgatisin listat e të gjithë personave, të cilët duke iu nënshtruar dispozitave të nenit 4 të këtij ligji, mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike për periudhën deri më 31 dhjetor 2008.

Lajme

03/09/2015 17:01

Këtë e ka bërë të ditur Fatime Lumi, zyrtare për informim në Ministrinë e Financave. Ajo përmes përgjigjeve elektronike, ka treguar se nga falja e borxheve përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike. Por bizneset dhe qytetarët të cilët do të përfitojnë nga ky ligj duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014.

“Personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e kryerjes së borxhit për periudhën 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014, ose të lidhin marrëveshje me institucionin shtetëror apo ndërmarrjen publike për pagesën e borxheve me këste për periudhën 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014”, tha Lumi.

Sipas saj, në rastin kur arrihet marrëveshja sipas nën-paragrafit 1.2 të këtij neni, atëherë personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe faljen e ndëshkimeve për periudhën 01 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Ajo shtoi se në bazë të këtij ligji parashihet që pagesat e borxheve të bëhet brenda afatit prej dy vitesh, për personat juridikë, nga data e lidhjes së marrëveshjes, brenda afatit prej tri vitesh, nga personat fizikë, nga data e lidhjes së marrëveshjes.

Sipas saj, për borxhet e pashlyera deri me 31 dhjetor 2008, ku shuma totale e borxhit bazë është në vlera të vogla prej 1 euro deri në 100 euro, nuk kanë nevojë t’ju nënshtrohen procedurave të parapara për faljen e borxhit, ato do të fshihen në mënyrë automatike nga institucioni ku figurojnë si borxhlinj.

Por Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, tha për KosovaPress se ky vendim për faljen e borxheve mund të dekurajoj paguesit e rregullt të tatimeve dhe shërbimeve publike.

Prandaj. Sipas tij, Oda Ekonomike Amerikane nuk e ka vlerësuar si vendim të drejtë.

“Do të kishte qenë situatë më ndryshe, nëse krahas këtij vendimi të Qeverisë, do të aplikohej edhe ndonjë formë e stimulimit për paguesit e rregullt të detyrimeve. Sidoqoftë, të gjitha institucionet përkatëse duhet të shfaqin një transparencë të plot në këtë aspekt, duke publikuar listat e të gjithë borxhlinjve, jo për turpërim publik, por për t’u siguruar që të njëjtit nuk do të përfitojnë sërish nga ndonjë amnisti e mundshme në të ardhmen”, tha Zeka.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri tha se ligji për faljen e borxheve më tepër është bërë për fushatë se sa që do të ketë efekt tek qytetarët.

“Më tepër kjo është bërë një fushatë për një efekt medial dhe opinion tash janë veprimet drastike tash unë nuk e d i deri ku kanë mbërri këta me regjistra, kush sa i falen, çfarë kushte marrëveshjet me bizneset, ata që iu falen borxhet para vitit 2008, ai kanë ri-programuar këto borxhe edhe pas vitit 2008, për këtë nuk ka asnjë informacion, po flasë për bizneset që kanë borxh ndaj Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganave. Do të thotë askund nuk është në ngjarje, nuk e dimë deri ku kanë mbërri dhe cilat janë efektet”, tha Shatri.

Ai po ashtu tha se janë bërë disa ngatërresa me personat privat dhe bizneset.

“Familjet tash po refuzojnë t’i paguajnë borxhet e vjetra, nuk po i paguajnë as të rejat, është bërë një pështjellim i pa parë. Ligji është nxjerrë, nuk po punohet në implementimin e tij, nuk e dimë çfarë do të bëhet me borxhet në veri të Mitrovicës, si do të trajtohen ato”, tha Shatri përmes telefonit./KosovaPress