Inspirim për Kosovën

Presidentja Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi ngushëllojnë popullin jugafrikan për humbjen e ikonës së rezistencës së tyre paqësore, Nelson mandelaM

Lajme

06/12/2013 08:33

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë shprehur  ngushëllimet e tyre për vdekjen e ikonës së rezistencës paqësore në botë, Nelson Mandelës, mbrëmë në Afrikën e Jugut.

Në ngushëllimin e saj për qytetarët e Afrikës Jugore dhe liderët botërorë për humbjen e ish-Presidentit Nelson Mandela, Presdientja jahjaga ka shkruar.

“Me dhembje të thellë morëm lajmin për vdekjen e ish-Presidentit të Afrikës së Jugut, nobelistit të paqes dhe promovuesit të të drejtave të njeriut, Nelson Mandela”.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, më lejoni të shpreh ngushëllimet më të përzemërta për njeriun që njohu shumë vuajtje, por që gjeti guximin dhe kurajën që atë përjetim ta shndërrojë në forcë për të reformuar vendin e tij dhe për të udhëhequr njerëzit e tij drejt pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore”.

“Për gjenerata të tëra, përreth gjithë botës, Mandela u shndërrua në simbol të rezistencës paqësore dhe paqes. Për popullin e Kosovës, që njohu vuajtje të ngjashme, ai përherë do të mbetet inspirim në kërkim të lirisë dhe paqes, demokracisë dhe pajtimit”, ka thënë Presidentja Jahjaga.

Ndërsa Kryeministri Thaçi, në ngushëllimin e tij ka thënë se e ka marrë me pikëllim të thellë lajmin për vdekjen e Mandelës.

“Ish-Presidenti Nelson Mandela një jetë të tërë e kuptimësoi në shërbim të arritjes së lirisë së vendit të tij”.

“Nelson Mandela u bë simbol universal dhe vlerë mbarëplanetare e kuptimit human të lirisë dhe përkushtimit konkret për këtë ideal sublim të njerëzimit”.

“Nelson Mandela ishte personaliteti me integritetin më të fortë moral, duke dëshmuar se individi sintetizon fuqinë e historisë njerëzore, si përpjekje për emancipim, liri të plotë, barazi dhe drejtësi universal, pa dallim vendi, race dhe kulture”.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta”, i ka thënë popullit jugafrikan kryeministri Hashim Thaçi.