Insistimi i FMN-së për veteranët

Kërkesa e fundit e Fondit Monetar Ndërkombëtar drejtuar Qeverisë se Kosovës për riklasifikimin e veteranëve të luftës se UÇK-së, e ka vënë në pozitë të palakmueshme Qeverinë e Kosovës.

Lajme

26/04/2017 13:04

Brenda një muaji Qeveria duhet t’iu bëjë zgjidhje mbi 45 mijë veteranëve.

Së pari duhet t’i klasifikoj nëpër kategori dhe përmes kësaj të verifikohet pastaj se a ka veteranë që nuk e meritojnë të jenë në lista.

Por kësaj kërkese të FMN-së në fakt i paraprinë një raport i kësaj organizate për Kosovën i publikuar në fillim të këtij viti, ku sqarohen në detaje planet për kategoritë e luftës.

Në këtë raport, zyrtarët e FMN-së druajnë se me gjithë këtë numër të veteranëve dhe me skemat tjera sociale për kategoritë e luftës, Kosovën e presin “ditë të vështira”.

Për zyrtarët e FMN-së, numri prej 46 mijë veteranëve, sa i përzgjodhi Komisioni qeveritar i caktuar për këtë punë, është përgjysmë më shumë sesa ata kishin pritur,  shkruan Gazeta Fjala.

“Në vitin 2016, Komisioni për certifikimin e veteranëve të luftës, certifikoi diku 46 mijë veteranë, përgjysmë më shumë se sa ishte pritur”, thotë FMN.

Nëse nuk bëhen reforma të thella edhe për këtë kategori, zyrtarët e FMN-së paralajmërojnë “ditë të vështira” për Qeverinë e Kosovës.

“Në mungesë të reformave, shpenzimet në skemën sociale që ka të bëjë me luftën, për të gjitha kategoritë, mund ta tejkalojë 2 për qind të GDP-së çdo vit, dhe kjo për dekada me radhë”. Sipas raportit të FMN-së, kjo do të pamundësonte që shpenzimet nga buxheti të kryheshin në fusha tjera, duke e vënë në rrezik kështu qeverisjen fiskale.

Ndryshe FMN, dje, përmes një njoftimi për media, i ka dhënë ultimatum Qeverisë Kosovës që deri në fund të muajit maj ti rishikoj listat e veteranëve. Ruud Vermeulen, Drejtor i Zyrës së FMN-së në Kosovë, ka thënë se në Ëashington kanë rënë dakord që të merren masa brenda periudhës së paraparë kohore meqë programi do të përfundojë vetëm pas pak muajsh.

Veteranët: Ne jemi marr vesh me Qeverinë

Me gjithë kërkesat e FMN-së për reforma dhe shkurtim eventual të numrit të veteranëve përmes një procesi të verifikimit, përfaqësuesit e veteranëve nuk duken të jenë edhe aq të shqetësuar.

Ata thonë se nuk e shohin problematike kërkesën e FMN-së pasi kanë marrëveshje me Qeverinë për këto reforma.

Për me tepër, Hysni Gucati, Kryetari i Veteranëve të UÇK-së, ka thënë se kanë marrëveshje me Qeverinë e Kosovës për t’u kryer kategorizimi i veteranëve në tri kategori, siç parashihet me ligj.

Sipas tij, edhe kërkesa e FMN-së ka qenë që të kryhet sa më shpejt kategorizimi i veteranëve ka mohuar që ky ultimatum të shkojë përtej asaj se çka janë marr vesh edhe me Qeverinë e Kosovës.

“Sa i përket rishikimit të listave me atë çështje duhet të merret prokuroria. Njoftimi i FMN-së ka të bëjë me klasifikimin e listave në kategoritë e parapara me ligj”, ka thënë Gucati.

Kërkesat tjera të FMN-së për kategoritë e luftës

Një reformë tjetër që po insiston FMN-ja është nivelizimi i pensioneve tek kategoritë e luftës. Sikur dikush që ka mbetur invalid nga puna në ndërtimtari, sikur dikush që ka humbur gjymtyrët në luftë, do të marrin pension të njëjtë.

Kështu është zotuar Qeveria e Kosovës para Fondit Monetar Ndërkombëtar, që këtë reformë në skemën pensionale ta bëjë deri me 1 maj të këtij viti.

Në raportin e fundit të FMN-së thuhet se institucionet e Kosovës uljen e pensioneve të invaliditetit për ish-ushtarët e UÇK-së, po e shohin si mundësi që ta mbajnë në balancë buxhetin e shtetit, shkruan Gazeta Fjala.

Tani për tani, mesatarja e pensionit për invalidët e luftës, që janë 4 mijë gjithsej, është 300 euro. Por me propozimet e reja kjo mund të përgjysmohet.

“Pensionet e invalidëve të luftës (mesatarja 300 euro për muaj) janë konsiderueshëm më të mëdha sesa pensionet për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në raportin e FMN-së.

Sipas këtij raporti, në tërësi shpenzimet për skemën social të luftës mund të arrijë deri në 2 për qind, çdo vit, të GDP-së.

Kjo për zyrtarët e FMN-së po del të jetë e papranueshme.

“Kështu në mënyrë që këto shpenzime t’i sjellim në një stad të qëndrueshme autoritetet duhet të bëjnë reforma tek pensionet për invalidët e luftës dhe tek pensionet e veteranëve të luftës”, konstaton FMN.

Krejt kjo reformë sipas FMN-së do të ndihmonte që të uleshin përgjysmë shpenzimet për invalidët e luftës, krahasuar me shpenzimet aktuale për këtë kategori. /Gazeta Fjala