Iniesta me Martinon

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta mbron trajnerin Gerardo Martino dhe thotë se do të ishte i lumtur nëse argjentinasi do të mbetej për një kohë të gjatë në klub.

Sport

10/05/2014 22:51

Andres Iniesta beson se Gerardo Martino është opsioni i duhur për Barcelonën tani, pavarësisht spekulimeve rreth largimit të tij në verë.

Strategu i Celta Vigos, Luis Enriques raportohet se është një prej kandidatëve për të zëvendësuar argjentinasin, i cili mori drejtimin e ekipit në vend të Tito Vilanovas verën e shkuar.

Martino është kritikuar ashpër pas eliminimit të Barcelonës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Atletico Madrid, dhe humbjes në finalen e Copa del Rey nga Real Madrid.

Por, Iniesta e mbron trajnerin. “Për mua, trajneri që kemi tani është më i miri”, deklaroi Iniesta për Diario Ole.

“Po ashtu, do të isha i lumtur nëse ai mbetet këtu për më gjatë, pasi i ka treguar të gjithëve në klub se çka është në gjendje të bëjë. Viti i parë është i vështirë për të gjithë”, u shpreh ai.