Iniesta: Ky ekip e ka pothuajse të pamundur ta fitojë Botërorin

Andres Iniesta e ka të qartë se Spanja është një përfaqësuese e madhe, që shihet si pretendente, por për të favoritë janë të tjerë.

Sport

29/05/2018 14:55

Andres Iniesta, protagonist me një intervistë të gjatë për revistën “GQ”, ku foli për tema të ndryshme. Pa dyshim që fokusi ishte në Kupën e Botës, ku ai bashkë me Spanjën do të kërkojnë të përsëritin suksesin e vitit 2010. Ish-mesfushori i Barcelonës për më shumë se 15 vjet mendon me modesti se “La Roja” e ka thuasje të pamundur të triumfojë në “Rusi 2018”.

“Duhet t’i vlerësojmë si duhet rrethanat dhe të jemi të vetëdijshëm që është thuasje e pamundur për ta fituar Botërorin. Është shumë e vështirë. Të shkosh atje dhe t’i kalosh raundet një e nga një nuk është aspak e lehtë. Ajo që na ndodhi para katër vitesh në Brazil duhet të na shërbejë në Rusi. Do të shkojnë në Botëror me këmbë në tokë.”

Iniesta e ka të qartë se Spanja është një përfaqësuese e madhe, që shihet si pretendente, por për të favoritë janë të tjerë.

“Jemi në një etapë tjetër, me një trajner dhe staf të ri. Janë grumbulluar shumë lojtarë të rinj së fundmi. Është një përzierje e mirë mes lojtarëve me eksperiencë dhe atyre të rinj. Ky është një plus i madh. Spanjën e konsiderojnë pretendente, por unë mendoj se favoritë janë skuadrat e zakonshme, Brazili, Franca, Gjermania, Argjentina… Pastaj gjithmonë del një emër surprizë. Të gjithë i respektoj njësoj.”

I pyetur për golin e tij historik në finalen e 2010-ës me Holandën, Iniesta tha:

“Mund ta ndiej sikur ka ndodhur dje. Thonë që koha bën të ndryshoh mënyrën se si i sheh gjërat, por unë e kujtoj njësoj gjithmonë. Është momenti unik i një jete të tërë.”