Iniciativë që mes Bosnjës dhe Kosovës të lëvizet veç me letërnjoftim

Deputeti i Parlamentit të Bosnjës, Semsudin Mehmedoviq po qëndron në një vizitë zyrtare në Prishtinë.

Lajme

25/02/2016 14:38

Ai sot është pritur nga nënkryetari i Kuvendit, Fikrim Damka, deputetja Lirije Kajtazi dhe Duda Balje.

Nënkryetari Damka, fillimisht i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi për vizitën mysafirin nga Bosnja. Ai vlerësoi se vizita e tij paralajmëron një nismë të mbarë në avancimin e raporteve ndërmjet dy popujve.

Ndërkaq, deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, e njoftoi Mehmedoviqin për pozitën e këtij komunitetit në Kosovë, raporton lajmi.net.

Lidhur me këtë, Balje tha se ky komunitet është i përfaqësuar në të gjitha nivelet e pushtetit dhe u shpreh e bindur se mundësit prosperuese për ta do të jenë edhe  më të mëdha në të ardhmen.

Për nevojën e një bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve, u shpreh edhe deputetja, Lirije Kajtazi. Ajo kërkoi nga zMehmedoviq, që Asambleja Parlamentare e Bosnjë Hercegovinës, të mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Parlamentit boshnjak, Semsudin Mehmedoviq, vlerësoi se komuniteti boshnjak në Kosovë duhet të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet dy popujve.

Ai po ashtu u angazhua që komunikimi ndërmjet dy popujve të jetë më i shpeshtë, ndërkaq, paralajmëroi një iniciativë që do ta marrë në Asamblenë Parlamentare të Bosnje e Hercegovinës, për realizimin e lëvizjes së qytetarëve ndërmjet të dyja vendeve,  vetëm me letërnjoftime./lajmi.net