Iniciativa për ‘Ndryshimin e Madh’

Iniciativa në Malishevë mund të jetë test për ambiciet e Fatmir Limajt e Jakup Krasniqit për një ndryshim më të madh. Limaj thotë se ky ndryshim po vjen, jo veç në Malishevë. Ai përmendi edhe pranverën.

Lajme

26/10/2013 17:52

Emocionues dhe shpërthyes është treguar Fatmir Limaj sot para bashkëvendësve të tij në Malishevë.

Para një mase të madhe të njerëzve në sallën e sporteve në Malishevë, Limaj u bëri thirrje simpatizuesve të tij që ta mbështesin Iniciativën Qytetare të Malishevës, subjekt i dalë pas çarjes me PDK’në.

Sot, synimit të Limajt për ta fituar Malishevën i është bashkuar edhe Jakup Krasniqi, Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish Sekretar i Përgjithshëm i PDK’së, i cili gjithashtu është i pakënaqur me zhvillimet e brendshme partiake, njësoj si edhe vetë Fatmir Limaj.

Por, më shumë se mbështetje për një iniciativë lokale, Limaj ka folur për “nevojën për ndryshime në tërë Kosovën”.

“Malisheva sot po i lëshon rrezet e shpresës për Kosovën duke dhënë shembullin më të mirë se kur qytetarët bashkohen, mund të sjellin ndryshimin për qytetarët e tyre”.

“Prizren e Gjilan, Gjilan e Mitrovicë, Mitrovicë e Pejë, ne po vijmë. Po vijmë për ndryshimin e madh. Urime bashkëvendës të mi”, ka thënë Limaj.

Ai ka përmendur pranverën e vitit të ardhshëm, duke iu referuar kohës kur pritet që Kosova të shkojë në zgjedhjet parlamentare.

“Rrezet e ndryshimit të madh po shpërndahen në Drenas, Lipjan dhe tërë Kosovën”, ka thënë ai, duke iu referuar iniciativave nëpër këto komuna të dala si pasojë e pakënaqësive në PDK.

Sipas tij, fitorja e IQM’së në Malishevë është fitore për secilin qytetar të kësaj komune.

‘Më 3 nëntor, përfundimisht e formalisht të vendoset fitorja e Ragip Begajt dhe IQM’së. Ne ftojmë edhe ata qytetarë që ende kanë pasur dilema të bashkohen me ne për ndryshimin e madh, të bashkohen për fitoren e madhe”.

“Mos e prekni vullnetin e qytetarëve të Malishevës. Ata kanë votuar sot dhe kanë votuar për Ragip Begajn”, ka porositur Limaj vëzhguesit e partive tjera në garë.

“Subjektet tjera në mënyrë qytetëruese duhet ta pranojnë rezultatin, ta pranojnë humbjen”.

Edhe Jakup Krasniqi është shprehur i sigurt në fitoren e IQM’së.

“Më mire se sa po flet Malisheva dhe qytetarët e saj, unë nuk mund të flas”, ka thënë Jakup Krasniqi.

“Sot jam në mesin tuaj për tj’u mbështetur juve, për ta mbështetur Iniciativën Qytetare për Malishevën”.

“Sot jam këtu për ta mbështetur nismën për ndryshime demokratike në Malishevë, Drenas dhe kudo në Kosovë”.

“Ardhja ime këtu sot e ka edhe një kuptim tjetër. Kam ardhur edhe në prezencën tuaj që ta mbështes fitoren e Fatmir Limajt në tri gjykimet. Neve nuk ka interesuar çka thonin kundërshtarët e Limajt, por na ka shqetësuar heshtja e miqve të Limajt”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa kandidati i IQM’së për Kryetar të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj ka thënë se ndihet më i inkurajuar se kurrë, sepse po vjen koha e Malishevës.

“IQM lindi si pasojë e pakënaqësisë suaj dhe është kthyer në lëvizje për ndryshim. Mesazhi ynë për oponentët tanë është se Malisheva tashmë ka vendosur. Malisheva do rrugën e ndryshimit dhe ka vendosur për përkrahjen e njerëzve të saj”.

“Malisheva do të vazhdojë ta përkrahë njeriun e dëshmuar për të ardhmen. Do të vazhdojmë ta përkrahim Fatmir Limajn. Fitorja jonë sjell qeverisjen te qytetari. Qeveria jonë nuk do të rrijë e mbyllur në zyrë, por do të jetë afër qytetarit”.