Iniciativa kundër shantazhit

Ragip Begaj i Iniciativës për Malishevën bën thirrje që elektorati të mos i përfillë shantazhet dhe ta votojë këtë iniciativë më 3 nëntor. Sipas tij, epoka e pushtetit aktual lokal po merr fund.

Lajme

04/10/2013 15:09

Iniciativa Qytetare për Malishevën ka hapur fushatën për zgjedhjet lokale me thirrjen e bërë elektoratit që më 3 nëntor të votojnë pa iu nënshtruar presionit.

Siç raporton Prizrenpress, Kryetari i kësaj Iniciative Ragip Begaj ka thënë se periudha e pushtetit aktual po përfundon.

“I ftoj të gjithë qytetarët, punëtorët e arsimit, administratës shëndetësisë dhe të sektorit privat, se epoka e grupit qeverisës aktual i mbështetur nga grupi joformal në Malishevë dhe në qendër po përfundon njëherë e përgjithmonë”.

Sipas Begajt, epoka e kërcënimit, shantazhit dhe e lëndimit për një votë apo bindje politike po bie “jo vetëm nga pushteti komunal, por edhe nga skena politike”.

“Prandaj, ju bëj thirrje që në mënyrë masive të merrni pjesë në zgjedhje dhe krejtësisht në mënyrë të lirë, demokratike e të qetë të vendosni për fatin tuaj dhe Malishevës, duke votuar Iniciativën Qytetare për Malishevën”.

“Kurrë më institucionet e Malishevës dhe qytetarët e saj nuk do t’i nënshtrohen asnjë presioni, shantazhi apo kërcënimi, as nga udhëheqësit lokalë, as nga udhëheqësit e qeverisë qendrore”.