Iniciativa e Agim Bahtirit për ‘bashkimin’ e Mitrovicës, joligjore

Kryetari i jugut të Mitrovicës, Agim Bahtiri, po synon të arrijë bashkimin e qytetit përmes një iniciative që ka ndërmarrë sot.

Lajme

29/11/2018 15:18

I njëjti, ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, për ndryshimin e ligjit për kufijtë administrativ të komunës, shkruan lajmi.net.

“Inicimi i ndryshimit të Ligjit Nr. 03/L-041 Për kufijtë administrativ të komunave, me qëllim bashkimi i Mitrovicës”, thuhej në njoftimin për media dërguar mediave.

Bahtiri, iniciativën e tij e ka ndërmarrë pa konsultim paraprak me partinë.

Sekretari i AKR-së, Vesel Makolli subjekt në të cilin bën pjesë edhe vetë kryetari i Mitrovicës, për lajmi.net tha se nuk është në dijeni për një gjë të tillë.

Ai nuk beson se Bahtiri e ka informuar dikë nga AKR-ja lidhur me këtë iniciativë.

Madje, për këtë gjë, paraprakisht nuk kanë qenë të informuar as vetë asamblistët e Kuvendit Komunal në Mitrovicë.

Donjet Bislimi, asamblist nga rradhët e PDK-së, për lajmi.net tha se iniciativa në fjalë është personale e Agim Bahtirit, dhe se paraprakisht nuk ka pasur ndonjë mbledhje.

Megjithatë, ai thotë se partia e tij do të marrë pjesë në këtë seancë.

Mirëpo, dëshira e Agim Bahtirit vështirë se mund të realizohet.

Kjo ngase e njëjta po cilësohet si jo ligjore, dhe vendim i cili nuk është në kompetencë të një komune.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, për lajmi.net po cilëson se veprimi i Bahtirit është një dëshirë më shumë se sa iniciativë.

Siç thotë ai, një komunë nuk mund ta shuajë një tjetër, apo të synojë bashkimin me të.

Për një çështje të tillë thotë ai, vendos Qeveria e vendit.

“Nuk është iniciativë ligjore, mund të jetë dëshirë, sepse një komunë nuk mund ta shuajë një komunë ose ta bashkojë një komunë tjetër, sepse komunat themelohen me vendim të Qeverisë dhe me respektim të ligjit përkatës. Ndërsa komunat që kanë dalur nga decentralizimi nuk mund të shpërbëhen me mbivotim”, tha ai.

Theksojmë se iniciativa e Bahtirit vjen pas dorëheqjes së kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq. Ky i fundit, së bashku me katër kryetarë tjerë serbë të komunave dhanë dorëheqje në shenjë pakënaqësie për taksën e vendosur nga Qeveria ndaj produkteve serbe.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe me vetë kryetarin Bahtiri për të marrë më shumë detaje rreth iniciativës së tij, mirëpo i njëjti nuk është përgjigjur.

Seanca, ashtu siç është bërë e ditur në njoftim, pritet të mbahet nesër me fillim prej orës 11:00./E.D/Lajmi.net/