Infromaliteti rrezikon bizneset

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se ekonomia informale po e dëmton rëndë buxhetin e Kosovës, qytetarët dhe imazhin e vendit. Sipas tyre, me këtë shkallë të informalitetit, po vështirësohen mundësitë e të bërit biznes.

Lajme

18/04/2014 15:00

Në konferencën me temën “\”Informaliteti në Kosovë – Strategjia dhe lufta kundër tij”, të organizuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, ku morën pjesë përfaqësues nga Qeveria e Kosovës dhe të bizneseve, u vlerësua se barra më e rëndë për luftimin e ekonomisë jo formale bie mbi Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganat e Kosovës.

Ministri i Financave, Besim Beqaj, tha se Qeveria është duke punuar në luftimin e dukurisë së informalitetit, si dhe kanë nisur reformat në institucionet përgjegjëse, ATK-së dhe Doganave të Kosovës.

“Si Qeveri dhe si Ministri e Financave, kohëve të fundit kemi qenë mjaft aktiv. Besojmë që deri në fund të këtij viti, nëse projekti do të shkoi si sipas analizave dhe parapërgatitjeve që kemi me BE-në, ne do të mund të konkludojmë dhe të kemi një pasqyrë të veçantë se sa është niveli i ekonomisë jo formale nw shtet”.

“Gjatë këtyre muajve të angazhimit tonë të fokusuar , kemi filluar edhe reforma për brenda institucioneve përgjegjëse jo vetëm për mbledhjen e taksave por edhe të zbatimit të ligjit”.

“Ekonomia jo formale, jo që është e dëmshme vetëm për buxhetin duke bërë evazion fiskal, por në mënyrë të drejtpërdrejt i dëmton edhe bizneset”, tha Beqaj.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi nga Qendra për hulumtime strategjike dhe sociale (STARS), duke prezantuar të gjeturat e raportit të realizuar ka thënë se ekonomia jo formale merr  një buxhet vjetor të shtetit.

Ai ka thënë se ekonomia jo formale është problem edhe i vendeve të rajonit dhe të BE-së.

“Nuk ka matje precize të informalitetit dhe ka ta dhëna që prej shkallës minimale prej 27 për qind që shkojnë në 35 për qind por edhe 40 për qind e tutje” .

“Qasja e informalitetit nuk është problem vetëm i një shteti, por është problem edhe i tërë  rajonit, madje edhe BE- ja e ka shkallen e informalitetit me 18 për qind”.

“Informaliteti diku e merr vazhdimisht një buxhet vjetor të shtetit të Kosovës”.

“Përgjegjësia për luftën kundër informalitetit dhe forcimin e tregut, krijimin e rendit në treg, bie kryesisht mbi Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, por pa e minimizuar kontributin që duhet ta japin edhe institucionet e tjera siç janë Policia e Kosovës , Gjyqësia  dhe strukturat që kanë të bëjnë me ndjekjen e krimit të organizuar”, tha Rexhepi .

Kurse Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka thënë se ekonomia jo formale  sjellë disa dukuri negative .

“Kjo dukuri sjellë një mori aspekte negative i cili manifestohet me pa barazi në treg, sulmohet drejtpërdrejt prodhimi vendor, dhe në qoftë se e kemi atakuar prodhimin vendor për mes informalitetit të tillë, atëherë është e pa mundur të kemi krijim të vendeve të reja të punës, dhe në këtë drejtim do të ndikohet në rritje të varfërisë dhe do të goditet drejtpërdrejti buxheti i konsoliduari i Kosovës”, tha Gërxhaliu.