Infantino: Botërori me 40 ekipe

Gianni Infantino planifikon ta rrisë numrin e skuadrave pjesëmarrëse në Kampionat Botëror, nëse zgjedhet president i FIFA-së.

Sport

24/02/2016 18:40

Kandidati për president të FIFA-së, Gianni Infantino, ka premtuar se në Kampionatin Botëror të vitit 2026 do të marrin pjesë 40 skuadra, nëse ai fiton në zgjedhjet.

“E dua Botërorin me 40 skuadra në vitin 2026. Është një eveniment unik me përmasat e tij dhe do të bëhej më i fuqishëm duke e promovuar futbollin në çdo cep të botës. Duke ua dhënë mundësinë edhe 8 vendeve të tjera që të marrin pjesë, e kemi mundësinë ta tërheqim publikun. Natyrisht, duhet dëgjuar të gjitha palët, por jam i gatshëm ta kem një bisedë konstruktive me të gjithë ata që e duan futbollin”, deklaroi ai, transmeton Zëri.

“Tashmë në UEFA janë duke u përdorur metoda të tilla. Evropiani i kësaj vere do t’i ketë 24 skuadra, nga 16 sa ishin në të kaluarën. Ky ishte një sukses enorm në aspektin sportiv, promocional dhe komercial. E di se mund ta bëjmë një gjë të tillë edhe me Botërorin”, përfundoi ai.