Indikator i keq, tkurret ekonomia amerikane

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara në tremujorin e parë të këtij viti ka përjetuar tkurrjen më të madhe në pesë vjetët e fundit.

Lajme

25/06/2014 19:57

Departamenti i tregtisë i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar sot se GDP-ja e vendit ka rënë për 2.9 për qind në periudhën janar – mars të këtij viti.

Të dhënat e reja janë më të këqija se vlerësimet e para se ekonomia ishte tkurrur me 1%.

Reduktimi prej 2.9 për qind i GDP-së paraqet rënien më të ashpër të ekonomisë amerikane prej vitit 2009, kur tkurrja ishte 5.4 për qind, transmeton REL.

Departamenti i Tregtisë tha se rezultatet e dobëta janë të ndikuara nga dimri shumë i ashpër, nga rritja e vogël e shpenzimeve të konsumatorëve, si dhe nga shtimi i importit.

Por, zyrtarët, po ashtu, kanë thënë se të dhënat nga tremujori i dytë, prej prillit e deri në qershor, tregojnë se ekonomia amerikane po rikthehet në krahasim me tremujorin e parë.

Kur ekonomia i ka dy periudha tremujore të njëpasnjëshme të tkurrjes së GDP-së, atëherë ajo konsiderohet se është në recesion.