Independent: Maqedonia turpi i Evropës, emigrantët plaçkiten nga personat me uniforma

"Shkova në Greqi për të raportuar mbi ngjarjet e fundit atje, për turpin e Evropës - për largimin e mundshëm të një shteti anëtar të BE-së pas gjithë atij mundi për bashkimin e kontinentit. Por turpin e vërtet të Evropës e gjeta në kufirin mes Greqisë dhe ish-shtetit të Federatës Jugosllave, Maqedonisë, kur një grup emigrantësh nga Aleppo i Sirisë më treguan lëndimet e tmerrshme që kishin marrë nëpër duart e tyre nga banditët që rrinë në kufijtë maqedonas."

Bota

10/07/2015 18:54

Kështu e nis rrëfimin gazetari i të përditshmes britanike “Independent”, Robert Fisk, për atë që pa në kufirin me Maqedoninë, se si emigrantët keqtrajtohen nga bandat që operojnë brenda vendit.

Ai tregon se në Maqedoni emigrantët plaçkiteshin nga persona të veshur me uniforma të rojave kufitare, dhe në kamionët e tyre mund të lexoje shenjat “Militia.” Në rrëfimin e gazetarit thuhet se këta persona rrihnin dhe malltretonin emigrantët.

Ai tregon se aktivistë të organizatës bamirëse “Mjekët pa Kufij” shoqëronin ata, “iu jepnin ndihmën dhe njerëzinë që Evropa nuk do t’ua falë asnjëherë.”

Gazetari rrëfen se emigrantët që vinin nga Siria, shumica nga qyteti sirian Aleppo, por edhe nga Damaskus, Deera dhe Deir ez-Zour dhe prej disa paralagjeve të Douma-s, ankoheshin për plaçkitës gjithandej rrugëve. Sipas raportit të gazetarit Fisk, ata udhëhiqeshin nga disa njerëz që dukeshin si sirianë, por ishin kontrabandues emigrantësh, disa prej të cilëve ishin nga vendet arabe dhe Pakistani.

“Destinacioni i tyre final ishte Gjermania”, shkruan Independent. /Indeksonline