Importi në Kosovë në tre muajt e fundit ka shënuar ngritje

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot Indeksin e çmimeve të importit (IÇIMP) për tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2016.

Lajme

09/03/2017 12:34

Sipas këtij raporti, Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë në TM4 2016 u ngrit për 2.0 %, krahasuar me TM3 2016.

Çmimet e importit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 2.0% në TM4 2016, krahasuar me TM3 2016.

Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: produktet minerale (9.0 %); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (3.7 %), lëkura dhe artikujt e saj (3.6%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e keramikës dhe të qelqit (3.2%); druri dhe artikujt e tij (2.5%). Artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani patën një rritje çmimesh 0.1%.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: metalet bazë dhe artikujt e tyre (-0.8%); mjetet e transportit (-0.8%); këpucët (-0.8%); tekstili dhe artikujt e tij (-0.5%); si dhe produktet e industrive kimike (-0.1%).

Krahasuar me TM4 2015 në TM4 2016 çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 1.0%./Lajmi.net/