“Importi i automjeteve 15 vjet të vjetra, kërcënim serioz për shëndetin”

Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC) shpreh shqetësimin dhe mospajtimin e thellë me vendimin e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik me të cilin synohet ndryshimi i Ligjit për Automjete për të rritur kufirin e vjetërsisë së automjeteve që importohen nga 10 vjet në 15 vjet.

Lajme

18/10/2018 14:39

Është zhgënjyes dhe dëshpërues fakti se komisioni  parlamentar për zhvillim ekonomik, përkundër dëshmive shkencore të shumta mbi rreziqet që shkaktojnë shkarkimet nga automjetet e vjetruara, përkundër përpjekjeve dhe politikave në Evropë dhe në Botë, dhe në kundërshtim me rezolutat dhe strategjitë mjedisore të miratuara nga vetë Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, merr vendim për të bërë pikërisht të kundërtën – rritjen e ndotjes së ajrit.

Nëse miratohet, një politikë e tillë do të rezultojë me kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe ndotje të rëndë të ajrit, sidomos në mjediset urbane, thuhet në reagimin e KADC. Kjo do të mundësoj importimin e veturave me standardin evropian Euro 3 të shkarkimit që në vendet e BE-së është tejkaluar qysh para 13 viteve, që nga viti 2005.

Veturat me standard Euro 3, emetojnë tre-fish me shumë okside të azotit (NOx), dhjetë fish më shumë grimca të pluhurit (PM) dhe 30 % më shumë monoksid të karbonit (CO) se sa një veturë dhjetë vjet e vjetër.

Këta ndotës paraqesin rrezik serioz për fëmijët pasi që pengojnë zhvillimin normal të mushkërive të tyre dhe duke kontribuar drejtpërdrejtë në krijimin e problemeve afatgjate shëndetësore dhe uljen e jetëgjatësisë së tyre.

Një politikë e tillë shumëfishon mundësinë që qytetarët e Kosovës, veçanërisht ata që jetojnë në zonat urbane, të preken nga sëmundje të rrezikshme të mushkërive dhe të rrugëve të frymëmarrjes, sëmundjet kardiovaskulare dhe të vdesin para kohe.

Sipas OBSH-së, në vendet në zhvillim, rritja e ndotjes së ajrit shkakton më shumë se 2 milionë vdekje të parakohshme në vit  (OBSH, 2014). Një nga burimet kryesore të ndotjes urbane të ajrit është transportit rrugor. Mbi 70-80% e ndotjes urbane të ajrit në qytetet e vendeve në zhvillim i atribuohet shkarkimit të emisioneve ne ajër nga një numër i madh i automjeteve të vjetra, mirëmbajtjes së dobët të automjeteve, infrastrukturës jo adekuate të rrugëve dhe cilësisë së ulët të karburanteve.

Agjencioni Evropian i Mjedisit (EEA)  në raportin e cilësisë së ajrit  e rendit sektorin e transportit si kontribuuesin më të madh të emetimeve të NOx (39%) dhe të dytin më të madhin të emetimeve të karbonit të zi- BC (29%), si dhe grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 (11%) në gjithsej 33 shtete anëtare të EEA.

Një nga problemet më të rënda shëndetësore publike sot është ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit. Gjithashtu, sipas Bankës Botërore, 10% e të gjitha vdekjeve në mbarë botën i atribuohen ndotjes së ajrit – më shumë se gjashtëfishi i vdekjeve nga malaria dhe më shumë se katër herë se ato të shkaktuara nga HIV/AIDS (Banka Botërore & IHME 2016). Ndërsa, kostoja ekonomike e braktisjes së punës që rezulton nga këto vdekje vlerësohet në 225 miliardë dollarë në vit .

Sipas të dhënave të  Qendrës së Automjeteve të Kosovës të shkurtit të vitit 2018, në Kosovë  qarkullojnë 358 855 mjete transporti. Shumicën e këtyre mjeteve, rreth 80 % e përbëjnë veturat e lehta të transportit për udhëtarë. Gjysma e këtyre automjeteve (50%) kanë standard shumë të ulët të lirimit të gazrave që lëviz prej Euro 1 në Euro 3. Ndërsa 21 % e mjeteve që gjenden në qarkullim në Kosovë janë me standard Euro 0 të emisionit. Vetëm një përqindje e vogël – 5.9 % dhe 2.4 % plotësojnë standardin euro 5 përkatësisht euro 6 të emisionit dhe 20 % tjera janë Euro 4.

Siç shihet nga këto dhëna, shoqëria jonë edhe tash ballafaqohet me një problem shumë të madh mjedisor dhe ndotje të lartë si rezultat i numrit të madh automjeteve të vjetruara, të cilat për shkak të përdorimit të gjatë nuk plotësojnë as standardet e shkarkimit të cilat i kanë të deklaruara në kohën e prodhimit.

Pra, në Kosovë, është e domosdoshme që të merren masa për përmirësimin e normave të lirimit të gazrave nga automjetet ekzistuese e jo të propozohen masa që e shndërrojnë Kosovën në deponi të mbeturinave të veturave të Evropës dhe që çojnë vendin drejt një katastrofe mjedisore. /Lajmi.net/