Immobile nënshkruan me Dortmundin

Ciro Immobile është përforcimi më i ri i Borussia Dortmundit. Sulmuei italian do ta zëvendësojë të larguarin Robert Lewandowski. 24 vjeçari ka realizuar 22 gola sezonin e kaluar dhe shihet si përforcim ideal për verdh e zinjtë.

Sport

02/06/2014 22:08

Sulmuesi italian, Ciro Immobile ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Borussia Dortmund. 24 vjeçari, i cili ishte golashënues i Serie A me Torinon sezonin e kaluar, me 22 gola nga 33 ndeshje, do ta zëvendësojë Robert Lewandowskin, i cili do të transferohet në Bayern Munich.

Drejtori sportiv i gjigantit gjerman, Michael Zorc mendon se përfaqësuesi italian është një blerje e madhe për klubin dhe beson se lojtari do të përshtatet mjaft mirë në ekipin e Jurgen Klopp.

“Ciro Immobile është një sulmues fleksibil dhe dinamik, i cili kishte një sezon të suksesshëm. Ai do t’i përshtatet perfekt me kualitetet e jashtëzakonshme që i posedon”, deklaroi ai.

Immobile e ndihmoi Torinon ta mbyllte sezonin në Serie A në pozitën e shtatë, duke e siguruar pjesëmarrjen në Europa League.

Immobile u përfshi edhe në listën përfundimtare të Italisë për Botërorin e Brazilit.