Imeri: Ekonomia joformale shqetësuese, niveli i saj 30 për qind

Ekonomia joformale vazhdon të jetë shqetësuese për Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Niveli i joformalitetit vlerësohet të jetë deri në 30 për qind.Kështu thotë drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri.

Lajme

17/02/2017 14:29

Imeri thotë se kanë mungesë të inspektorëve në terren, porse janë duke luftuar këtë dukuri.

“Inspektorë kurrë nuk ka mjaftueshëm, sepse kemi një zhvillim në disproporcion me mundësitë e zgjedhjes së stafit brenda ATK-së. Ne kemi një numër të kufizuar, kemi aktualisht 785 zyrtarë në ATK, prej tyre 70 për qind janë të kyçur në raport me tatimpaguesit, ndërsa 30 për qind janë në shërbime të përbashkëta në procese të brendshme, 340 i kemi drejtpërdrejt në vlerësime, kontrolle dhe aktivitete përmbushëse”, ka thënë Imeri, në një intervistë dhënë për Ekonomia Online.

Ai ka folur edhe për qasjen e ATK-së në veri të vendit, duke thënë se atje kanë inkuadruar dhe zyrtarë nga komuniteti serb. “Ne kemi një ekip prej 15 zyrtarëve që i kemi me marrëveshje të Brukselit, kemi bërë përzgjedhjen e atyre zyrtarëve që janë të nevojshëm edhe për t’i kyçur strukturat paralele, por edhe për t’i përgatitur dhe edukuar për kryerjen e funksioneve tatimore, sepse janë funksione më specifike, dhe më të rëndësishme në efekt të hyrave të buxhetit të shtetit”, ka thënë Imeri.

Kreu i ATK-së flet edhe për bashkimin e ATK-së me Doganën në një institucion, që ishte paralajmëruar të bëhej sivjet. Imeri thotë se me rekomandim të FMN-së dhe të ekspertëve tjerë të përfshirë në këtë proces, bashkimi është shtyrë për 1 janar të vitit 2018.

Ai ka folur edhe për të hyrat e ATK-së, duke thënë se vitin e kaluar ky institucion për herë të parë ka kaluar 500 milionëshin në të hyrat tatimore dhe kontribute pensionale.

Sa i përket rimbursimit të qytetarëve që dorëzojnë kuponë fiskalë, Imeri konfirmon se ky proces do të vazhdojë.