Imazh i keq për Kosovën

Nëse mandati për ulëset e rezervuara për komunitetet pakicë nuk realizohet, Ministri Nenad Rasi thotë se kjo do të bartte pasoja në integrimin e serbëve të Veriut dhe do të krijonte një imazh të keq të Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare.

Lajme

25/01/2014 15:26

Vazhdimi edhe për një mandat i ulëseve të rezervuara për komunitetet pakicë mund të mos realizohet për shkak të kundërshtimeve të një numri të madh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Kështu ka thënë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic, i cili njëherësh është njëri ndër iniciatorët që komuniteteve pakicë t’u vazhdohen edhe dy mandate për ulëset e rezervuara.

Në një bisedë për lajmi.net, Rasic shprehet se vazhdimi i ulëseve të rezervuara është një mundësi e mirë për të gjithë.

“Normalisht, derisa po krijohet vonesë, mund  të krijohet përshtypja se nuk do të jetë në agjendën e Parlamentit. Më vjen keq që partitë politike nuk po e shikojnë në mënyrë pozitive këtë iniciativë.”

“Ne kemi pasur takime me deputetët dhe e di që pakënaqësia e tyre është në një nivel të lartë.  Natyrisht, mund të ndodhë që kjo të mos dërgohet në Parlament, ose mos të ketë prezencë të mjaftueshme të deputetëve në sallën e Kuvendit”.

“Megjithatë, ka ende hapësirë ku mund të veprojmë.”

“Të gjitha ambasadat e QUINT`it kanë qenë të interesuara që ulëset e rezervuara të vazhdohen edhe për një mandat. Ne ende besojmë se është e mundshme që ndonjë parti politike të ndërrojë mendje në ditët në vijim. Ne nuk do ta ndalim këtë aktivitet, sepse besojmë që kjo do të shkojë në favor të të gjithëve.”

Sipas Kushtetutës, vendet e rezervuara pushojnë në mandatin e ri. Por, pavarësisht kësaj,    Ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë preferuar që komunitetet pakicë të marrin edhe një mandat për ulëse e rezervuara, megjithëse kanë thënë se për këtë vendosin institucionet e Kosovës.

Megjithatë, konkluzionet e ndërkombëtarëve deri më tani janë kundërshtuar nga dy partitë më të mëdha opozitare në vend LDK dhe VV. Pa votat e tyre, propozimi për një mandat të ri do të ishte i pamundur të kalonte në Kuvend, pasi që për ndryshime Kushtetuese nevojiten 2/3 e votave të deputetëve.

Por, sipas Minsitrit Nenad Rasic, kjo do të shkaktonte dezintegrim të serbëve të Veriut.

“Unë konsideroj se jemi në momentin krucial sa i përket integrimit të serbëve të Veriut. Me këtë formë po dërgohet edhe një mesazh i keq për serbët e Veriut. Liderët e tyre mund ta marrin këtë si një kundër-element për integrimin në institucionet e Kosovës. Mossigurimi i vendeve të rezervuara do të na dërgonte një apo dy hapa mbrapa”.

“Jam i sigurt se në një planifikim afatgjatë politik, kjo nuk do të shkonte në favor të Kosovës. Me këtë formë ne nuk do të kishim dalë mirë para syve të ndërkombëtarëve, dhe në veçanti para Bashkimit Europian.”

“Unë këtë e shoh si dëm në të gjitha aspektet politike, qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivelin lokal apo rajonal”.

“Jam i sigurt se pas kësaj do të vijnë komente të ndryshme nga përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Europian. Nuk mund të supozoj se çfarë deklaratash mund të jenë, por me siguri nuk do të jenë të mira sa i përket partive politike kosovare, ku do të ketë kritika në moskuptimin e rëndësisë për krijimin e hapësirës për komunitetet që të jenë pjesë e integruar e institucioneve të Kosovës”.

“Kjo nuk e përjashton mundësinë që të reflektohet pakënaqësia edhe në Qeveri. Kur po them në Qeveri, ndoshta njëra prej elementeve do të jetë ku i propozohet vetë Qeverisë apo zyrtarëve qeveritarë që të marrin në konsideratë vazhdimin e ulëseve të rezervuara”, ka thënë Rasic për lajmi.net.