Imami që kërkoi nga hoxhallarët të mos e varrosin babain e kryeministrit, largohet nga xhamia e fshatit

Deri dje ishte hoxhë i fshatit Fortesë të Rahovecit, por pas deklaratave skandaloze për Haradinajt, Bedri Bytyqit i është dashur të largohet nga xhamia.

Lajme

18/06/2018 12:10

Metro ka biseduar me hoxhën nga Malisheva por që ishte imam në Rahovec, i cili ka konfirmuar se nuk do të jetë më në atë xhami. Madje, ai ka mbledhur edhe plackat dhe është larguar nga ‘shtëpia e hoxhës’, e cila është ndërtesë ku mund të flenë hoxhallarët që shërbejnë në fshat.

“Jo, nuk jom mo aty. Dy veta jemi kanë, tash nuk rri mo aty”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se nuk është larguar për shkak të fshatarëve.

 Madje, hoxha tha se u ka kërkuar ‘hallallin’ xhematit të tij, ndërkohë që nuk e ka çuar nëpër mend frikën. Bile ai ka thënë se ‘Jo katundarët, por Sllobodani me ardhë  hoxha nuk ikë’.

Ndërkaq, Bytyqi që është hoxhë dhe anëtar i partisë së Gëzim Kelmendit, ka thënë se i është bërë e padrejtë, pasi sipas tij ato deklarata nuk kishin qenë skandaloze. Ai madje thotë se nuk e ka mbyllur facebook-un vetë, por ia kanë mbyllur.

Hoxha beson se nuk është dëmtuar fare nga ky raportim dhe nuk ka shprehur pendesë, por ka shtuar se pas raportimit të Metros fillimisht, fama e tij veç është rritur, ndërkohë ka paralajmëruar gazetarët se do t’u ‘kthehet nga Zoti’.

“Mu veç më keni ba famë, kurgjo tjetër. Besoni mu veç famë më keni ba, do sharje me kanë ardhë, a juve iu vjen prej zotit, jom i bindur. E qysh, All-llahu e din”, ka thënë Bytyqi për Metron.

Ndryshe, hoxha nga Malisheva por që punonte në Fortesë të Rahovecit, dje u bëri thirrje hoxhallarëve që të mos e varrosin babain e Ramush Haradinajt, Hilmiun, duke kujtuar deklaratat e kryeministrit rreth të kaluarës së tij katolike.