Iluzionet për dobitë e listave të hapura zgjedhjet dhe dëmet që ato do të shkaktonin në Shqipëri

Kohëve të fundit, në kuadër të debatit për reformën zgjedhore,  ka nisur një propozim nga përfaqësues të politikës dhe shoqërisë civile për të pasur lista të hapura në zgjedhjet e ardhshme.

Opinion

23/01/2017 15:52

Pavarësisht se në pamje të parë mund të mbizotërojë një përshtypje se listat e hapura mund të pastrojnë sistemin dhe përmirësojnë demokracinë në Shqipëri, unë jam i bindur, që në kushtet e sotshme dhe rrethanat aktuale, listat e hapura jo vetëm që nuk do përmirësojnë gjë, por madje do ta përkeqësojnë situatën. Një gjë është fjalët e bukura naive për listat e hapura dhe përfitimet e pandehura nga këta propozues dhe krejt tjetër gjë do të ishte rezultati që hapja do të sillte i aplikuar në realitet, me konjukturën aktuale dhe kulturën tonë politike.

Një nga argument kryesore të dhëna në favor të listave të hapura është iluzioni se duke i dhënë mundësi votuesit që të zgjedhë nga lista e kandidatëve të partisë që pëlqen, parlamenti mund të pastrohet dhe të korruptuarit të filtrohen nga votuesit. Legjislatura shqiptare që po mbyllet mund të konsiderohet si me e kriminalizuara dhe e kalbura e historisë se parlamentarizmit shqiptar dhe nevoja për të sjellë një parlament të pastër është jashtëzakonisht e madhe. Mirëpo nuk janë zgjedhjet e hapura zgjidhja. Mund të duket kundër-intuitive por ka të gjitha arsyet, e madje ka edhe studime krahasimore që e vërtetojnë këtë gjë, se listat e hapura jo që nuk do e ulin, por vetëm se kanë për ta shtuar nivelin e korrupsionit dhe kriminalizimit në vend.

Kjo gjë ka për të ndodhur për tre shkaqe kryesore. Së pari në zgjedhjet me lista të hapura ndodhin dy gara paralele, njëra mes partive, dhe tjetra që bëjnë në mënyrë personale kandidatët. Pra duke qenë se përveçse partia ka nevojë për fushatë personale brenda partisë, kandidatët do të detyrohen që të mbledh fonde për financimin e kësaj fushate. Prandaj për të siguruar mbijetesën politike kandidati detyrohet të korruptohet, të lidhi aleanca të errëta me krimin apo me biznesmenë për të marrë paratë e tyre në këmbim të favoreve politike pas zgjedhjes. Së dyti jo vetëm që shtyhet që të korruptohet vetë për të financuar fushatën, por vetë kandidati përpiqet me çfarëdo kushti që të sigurojë vota duke shkuar edhe tek korruptimi i elektoratit në formën e patronazhi. Pra kandidatët që të dalin në renditjen fituese brenda partisë së tyre do të kenë më shumë arsye për të hedhur para për të blerë vota apo për të mundësuar përfitime materiale joshëse për votuesit si vende pune për ta, bursa, tenderë, subvencione, investime infrastrukturore etj.

Së treti, çka është më e rëndësishme për Shqipërinë,  vetë lidershipi i partisë do të ketë leverdi që të fusi në listë për kandidatë njerëz të kriminalizuar që kanë mjaftueshëm para për të bërë patronazh me votuesit si dhe që janë mjaftueshëm të egër sa të fusin duart në procesin zgjedhor për të vjedhur vota për vetë, e duke vjedhur për veten të shtojnë edhe numrin total të votave në thesin e partisë. Pak a shumë do të kemi një shumëfishim I kriminalizimit të listave përkundrejt legjislaturës së kaluar. Sikurse e dimë mirë në zgjedhjet e kaluara parlamentare partitë kanë vendosur biznesmenë të dyshimtë apo njerëz të njohur me precedentë të rënda penale të renditur në kufirin fitues të listave të tyre mbyllura në zona të ndryshme. Kjo është bërë që ti motivojë këta individë të nëntokës, që për t’u bërë deputetë të shërbejnë si lokomotivë për listën e partisë duke financuar fushatën e partisë në zonë  por edhe për të blerë me para e vjedhur me presion vota që partia vetë nuk do mund t’i merrte në atë zonë.  Kuptohet që të motivohej ky kandidat me të kaluar të errët duhej të pozicionohej në radhën e listës së mbyllur aty ku mandati të ishte i arritshëm por jo i sigurt. Po të vendosej në një renditje ku mandati ishte I sigurt ky kandidat nuk do të kishte ndonjë shtysë për të hedhur para apo angazhuar rrjetin e tij kriminal se do ta kishte në xhep kartonin e deputetit. Po të ishte shumë ulët në listë atëherë nuk do kishte shpresë për të qenë në renditjen fitimtare dhe as që do të futej në garë fare. Kështu që duhej medoemos të ishte i radhitur në atë renditje të listës së mbyllur që ishte në pikëpyetje çka do të thotë që edhe numri i kriminelëve të rekrutuar si kandidatë për këtë qëllim është i kufizuar me lista të mbyllura. Mirëpo me lista të hapura ky numër është i pakufizuar dhe praktikisht kryetari mund ta mbush përplot listë me keqbërës për të maksimalizuar votat nëpërmjet financimit dhe presionit që ata mund të ushtrojnë për dobinë e tyre personale.

Për ta shpjeguar më mirë po e ilustroj me hamendësie të zgjedhjes racionale mbi zonën zgjedhore të Tiranës si më e madhja në vend që përcakton kahjen e rezultatit në nivel vendi me 32 mandatet e saj. Në zgjedhjet e fundit krahu i majtë me Aleancën Për Shqipërinë Evropiane mori 20 mandate ndërsa e Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim 12 mandate. Kjo do të thotë që në listën e ardhshme zgjedhore (duke hamendësuar që kompozimi i koalicionit tëjetë i njëjtë me të mëparshmin)  e majta ka  leverdi që të luajë në garë  duke vendosur në pozicionin e 20-21 ndërsa e djathta në pozicionin e 12-13 pseudobiznesmenë të botës së krimit për të mbledhur vota me gjithfarë mënyrash për partinë në mënyrë që të dalin vetë deputetë. Nëse luhet me lista të hapura, atëherë s’ka më rëndësi renditja, dhe kryetari i koalicionit ka inventivë që të vendosë që të gjithë 32 kandidatët biznesmenë apo njerëz të botës së krimit e paligjshmërisë për të maksimalizuar votat.

Një tjetër nga arsyet kryesore për të cilat kërkohet hapja e listave të votimeve është ulja e pushtetit të kryetarit të partisë i cili është i gjithëfuqishëm për të caktuar renditjen në listën e mbyllur dhe në këtë mënyrë de facto për të emëruar deputetët e sigurtë. Prandaj janë të shumtë ata që e propozojnë hapjen e listave si një mënyrë për të dobësuar kontrollin piramidal në parti e për të lënë më shumë hapësirë për disidentët partiak apo mendimin alternativ. Mirëpo ideja se hapja e listave e çarmatos kryetarin e partisë është paksa një iluzion sepse ka tre taktika apo veprime që lidershipi partiak mund të bëj për t’i mbajtur shtrënguar frerët e partisë. Së pari nuk duhet harruar që edhe me lista të hapura, kryetari ka mundësi ti eliminoje nga loja rivalët e brendshëm duke mos i futur fare në listë. Gjithashtu, ka studime krahasimore që vërtetojnë në mënyrë statistikore se pozicionimi në vendet e para të listës rrit ndjeshëm shanset për sukses sepse shumica e simpatizantëve të një partie nuk i njohin të gjithë kandidatët e partisë, por i bien shkurt dhe thjesht zgjedhin të votojnë liderin dhe emrat e parë që gjejnë nga lista e asaj partie.

Së treti prijësit e partive mund të influencojnë rezultatin e zgjedhjeve e të penalizojnë kundërshtarët bashkëpartiak duke i dhënë udhëzime strukturave partiake se kë të votojnë e kë mos të votojnë nga lista shumë emërorë e partisë. Në listat e mbyllura, personalitetet kryesore të partisë që mund të jenë aspirantë që t’ia marrim postin kryetarit, e kanë të qartë nëse do ta marrin apo jo mandatin parlamentar nëpërmjet pozicionimit e tyre në listë. Nëse janë të pozicionuar ulët në një renditje të pasigurt ata ikin fare nga partia e bëjnë një skizmë rivale. Mundësia e skizmës është një burim i vlefshëm presioni për demokraci e garë të brendshme. Ndërsa me lista të hapura ata mund të kenë iluzionin se po futen në garë të hapur por mjafton një udhëzim i kryetarit ndaj strukturave mund ti nxjerri lehtësisht nga loja.  Rrjedhimisht listat e hapura nuk janë një garanci për shtimin e pluralizmit të brendshëm partiak dhe për dobësimin e kryetarit të partisë.

Në vend që të garojnë për çështje programore, për vizion qeverisës apo për reforma e politika konkrete, kandidatët e listave të hapura detyrohen që të bëjnë fushatë duke bërë premtime që sigurojnë përfitime për votuesit e komunitetit ku synojnë ti nxjerrin votat. Edhe kur zgjidhen në vend që të përqendrohen me punën që i takon një parlamentari pra më çështje shtetërore ata  merren më së shumti me kultivimin e bazës elektorale me joshjen e votuesve me favore, nepotizëm e klientelizëm për zonën e tyre zgjedhore.  Kjo gjë sjell një kosto të jashtëzakonshme për parlamentin sepse deputetët nuk do i përkushtohen sa duhet këtij institucioni duke u marrë më shumë me përpjekjet për t’u rizgjedhur.

Për më tepër duhet përmendur se procesi zgjedhor me lista të hapura organizohet me më shumë vështirësi sepse fletët do të jenë më të komplikuara e të stërmëdhaja duke përmbajtur listat shumë-emërore karshi logos së partive. Ka studime të shumta që dëshmojnë se vështirësia në proces dekurajon pjesëmarrjen në votime dhe shton mundësitë për gabime duke rritur numrin e fletëvotimeve të pavlefshme. Por ajo që është më problematikja është numërimi që sikurse e kemi parë në zgjedhjet e fundit është nyja gordiane e shkeljeve tona zgjedhore. Me lista të hapura dyfishohet problemi, sepse jo vetëm që do të kishte presione e konflikte për numrin e votave të partive por edhe sherr e shamata të brendshme për votat mes kandidatëve. Në Kosovë për shembull në zgjedhjet e vitit 2014 të vetmet shkelje që u raportuan dhe bënë bujë ne media ishin ato që kishin të bënin me akuza të ngritura nga kandidatët për vjedhjet brenda së njëjtës parti.

Këtu pastaj është një dëm tjetër nga listat e hapura  sepse do të kishte një garë aq të madhe mes kandidatëve të një partie sa jo vetëm do të eklipsoheshin çështjet e rëndësishme shtetërore me të cilat pritet që të merret parlamentari, por do të dëmtohej rënd kohezioni i brendshëm partiak. Në përgjithësi në Shqipëri ekziston njëfarë alergjie kolektive ndaj partive dhe dëmtimi i tyre shumëkujt nuk i duket hata e madhe. Porse këto parti, janë siç janë, me të mirat e pakta dhe tëkëqijat e shumta të tyret janë institucione të rëndësishme të funksionimit të demokracisë dhe po u shkatërrua apo fragmentua sistemi ynë partiak nga gara e brendshme e listave të hapura, destabilizohet edhe sistemi ynë politik. Fundja logoja e partisë ka rëndësi të madhe për qytetarët dhe është partia ajo nga e cila pritet që të qeverisë, të jap llogari për keq-qeverisje apo të bëj një opozitë dinjitoze. Këto janë role që nuk priten nga individë të veçantë por nga e gjithë partia.

Një problem më shumë  i listave të hapura është edhe arsyeshmëria dhe legjitimiteti i votave sepse deputetët që marrin mandatin do të kenë shpërputhje të jashtëzakonshme votash  dhe shpërndarje nga më të larmishmet duke krijuar një situatë absurde që cenojnë imazhin e demokracisë. Për ilustrim, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, kandidati më i votuar në Kosovë ishte Hashim Thaçi me 166422 vota të marra brenda listës së PDK-së ndërkohë që në të njëjtin parlament hyn deputet nga lista e hapur e Nismës me 4608 vota Zafir Berisha. Pra ky disporporcionalitet i votave për të marrë një mandat parlamentar të barabartë, në parim lë një shije goxha të keqe.  Në Kosovë janë futur deputete gra dhe të pakicave me shumë më pak vota mirëpo ajo shpjegohet më shumë me diskriminimin pozitiv dhe kuotat e vendosura në Kushtetutën e Kosovës. Hipotetikisht është e mundur që më i votuari i një liste të hapur të bëhet deputet me mbi 100 mijë vota dhe i fundit kandidat  që merr mandat nga e njëjta listë të marrë vetëm disa qindra vota dhe të ketë një diferencë prej vetëm dy-tre votash prej kandidatit tjetër pas tij që ngelet jashtë parlamentit. Po ashtu mund të ndodhë që një kandidat sikurse qe Behgjet Pacolli të ngelet jashtë parlamentit me 18946, pra shumë më tepër vota se shumë kandidatë të tjerë të mandatuar, vetëm sepse lista e tij nuk e kaloi pragun e ngeli jashtë parlamentit. Pra rezultatet me lista të hapura mund të jenë me të vërtetë qesharake duke e diskredituar besimin dhe respektin për procesin.

Një tjetër çështje që preket drejtpërdrejtë nga hapja e listave është çështja e ripërtëritjes së elitës sonë politike dhe pasurimit të diversitetit në përfaqësim, gjë që është me shumë rëndësi për shoqërinë tonë. Një kryetar partie nuk ka nevojë vetëm për njerëz që kanë para e sigurojnë vota por edhe që të ketë një gamë sa më të gjerë me profile të kandidatëve. Pra jo vetëm për para e muskuj por edhe për tru, për njerëz ekspertë të ekonomisë, jurisprudencës apo fushave të tjera që të nesërmen do të bënin punë profesionale në komisionet përkatëse parlamentare apo në administrimin e ministrive. Po ashtu një parti moderne ka nevojë edhe që të jetë sa më përfaqësuese, që të ketë një gjithpërfshirje të të gjitha segmenteve të shoqërisë, të të gjitha përkatësive dhe një shtrirje kudo në territor.

Nëpërmjet listave të mbyllura sot është e mundur që të futen në pozicione fituese në listën e kandidatëve personalitete të reja, figura të shoqërisë civile, akademikë, shkencëtare e personalitete të artit e sportit duke e lehtësuar hyrjen e tyre në parlament. Mirëpo me lista të hapura këta rishtarë në politikë nuk do të kishin shans që të konkurronin me ujqit e vjetër të partisë të cilët falë lidhjeve të hershme me strukturat partiake, sistemit të klientelizmit që kanë ndërtuar në vite, përvojës dhe imazhit personal të njohur që kanë me simpatizantët e partisë, do ti nxirrnin lehtë nga loja. Për mos të thënë pastaj  që lojtarët e vjetër sipas të gjitha gjasave do të shfrytëzonin lidhjet që kanë me komisionarët dhe numëruesit e partisë në terren për të keqnumëruar votat e marra brenda partisë nga të sapoardhurit. Përfaqësimi parlamentar gjinor gjithashtu do ta pësonte shume keq me lista të hapura, sepse gratë do ishin të pafuqishme për të mbledhur fonde, bërë fushata personale dhe për të ruajtur votat personale, krahasuar me burrat. Me pakë fjalë listat e hapura, në kushtet e sotshme të Shqipërisë, jo vetëm që nuk janë zgjidhje por janë garanci për një përkeqësim të realitetit tonë politik.