Ilir Meta e Lulzim Basha urojnë Isa Mustafën

Kreu i Parlamentit shqiptar, Ilir Meta, si dhe kryetarin i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha kanë uruar Isa Mustafën pas zgjedhjes në krye të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

17/07/2014 18:12

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një kumtese, bëri me dije se Isa Mustafa ka pranuar një telefonatë urimi nga kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

“Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, uroi kryetarin Mustafa me rastin e zgjedhjes së tij në postin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së, dhe se të dy janë zotuar për bashkëpunim të ndërsjellë parlamentar dhe shkëmbimin e përvojave më të mira parlamentare

Urime Mustafës i ka dërguar edhe kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike dua t’i shpreh urimet më të përzemërta kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës, zotit Isa Mustafa. Shpreh bindjen se ligjvënësit kosovarë nën drejtimin e zotit Isa Mustafa do të arrijnë të orientojnë drejt rrugët e zgjidhjes së çështjeve që u shërbejnë interesave të të gjithë qytetarëve të Kosovës për zhvillim ekonomik, punësim dhe mirëqenie për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin evropian dhe euroatlantik”, thuhet në urimin e kreut t ë PD-së dhe të bashkisë së Tiranës.

Sipas Bashës, Mustafa do të arrijë t’i japë një dimension të ri parlamentarizmit në Kosovë duke vijuar në rrugën e progresit dhe zhvillimit.