Ilazi: Lufta ndaj krimit dhe korrupsionit përshpejton liberalizimin

Zëvendësministri i Integrimit Europian, Ramadan Ilazi, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës, ka thënë se kjo ministri është duek punuar në një strategji e cila do të ofrojë informata të detajuara për qytetarët lidhur me procesin e integrimit europian të vendit.

Lajme

17/09/2016 09:03

“Si ministri kemi qenë vazhdimisht të angazhuar për të dizajnuar fushata informimi për qytetarët që ata të jenë të informuar drejt për procesin e integrimit evropian. Vitin e kaluar kemi ndërmarrë disa fushata që kanë synuar të përcojnë mesazhin që integrimi është proces i reformave të brendshme. Ky proces nënkupton përgjegjësi nga të gjitha institucionet e Kosovës. Synimi ynë është që të kemi një strategji në këtë drejtim, për të përcaktuar mënyrën se si qeveria e komunikon tek qytetarët procesin e integrimit”, tha ai në Klan Kosova.

“Deri tani nuk kemi pasur një strategji gjithpërfshirësë të komunikimit. Por tash përmes saj do të lehtësohet edhe komunikimi. Kemi pasur situata kur situatat e ndryshme politike kanë përcaktuar edhe mesazhin nga ana e qeverisë. Por tani kjo do të ndryshojë”.

Ai ka deklaruar se kushtet e përcaktuara nga institucionet europiane për Kosovën në mënnyrë që të marrë liberalizimin duhet përmbushur, sidomos demarkimi i kufirit me Malin e Zi, por edhe lufta e vazhdueshme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Gjatë procesit të liberalizimit të vizave kemi pasur arritjen kryesore në maj, kur edhe është dhënë rekomandimi. Në këtë kohë janë përcaktuar edhe dy kushte, të cilat duhen përmbushur, para se të merret vendimi final për liberalizimin e vizave. Një nga këto kushte është luftimi i krimit dhe korrupsionit, që do të na përcjellë në rrugëtimin tonë. Ne kemi ndërmarrë vendime të koordinuara për të forcuar rezultatet në fushën e sundimit të ligjit. Cilado aktakuzë që ka të bëjë me krim dhe korrupsion i ndihmon procesit të Kosovës. Por duhet insistuar që të mos ketë vetëm aktakuza, por edhe vendime. Por ky nuk është kusht që nëse BE-ja ka vullnet të na i liberalizojë vizat që do të na pengonte. Ndryshe është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Ne kur kemi thënë që kosovarët do të lëvizin pa viza, nuk kemi menduar që në rrugë do të dalin agjenda politiko-partiake”.

“Nëse nuk ka vullnet për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës, kushtet mund të përdoren për ta arsyetuar atë vendim. Por po ashtu mund të shohim që kemi një situatë të vështirë në shtetet e BE-së”.

“Gjatë vjeshtës pritet që Kosova dhe BE-ja të dalin me një agjendë të përbashkët të reformave, në fushën e sundimit të ligjit dhe ekonomisë”.

Ilazi nuk ka komentuar për pasardhësin e mundshëm të Bekim Collakut në krye të ministrisë, por ka konfirmuar se nuk do të jetë vet ai, pasi ka agjendë tjetër personale.

“I takon kryetarit të Partisë Demokratike të vendosë cili do të jetë ministri i Integrimit Europian. Por më lejoni të sqaroj që unë nuk do të jem ai. Unë kam pasur fatin që t’i shërbej vendit në këto faza. Nga muaji nëntor do të vazhdoj të angazhohem në projekte personale”.