Ilaç për ‘rriqrat politike e natyrore’

Albin Kurti thotë se rriqrat natyrore në Malishevë nuk do të ishin as problem, as rrezik, pa 'rriqrat politikë' të PDK’së.

Lajme

16/10/2013 14:08

Albin Kurti ka hyrë i buzëqeshur në sallën e sporteve në Malishevë, ku është pritur nga mijëra simpatizantë të tij.

Mbushja e sallës me simpatizantë duket se i kishte dhënë vullnet edhe për premtime kreut të Vetëvendosjes, i cili tha se kjo Lëvizje në Malishevë do t’i heqë edhe ‘rriqrat politikë’, edhe ‘rriqrat natyrore’.

“Malisheva është vendi  i njerëzve punëtorë e të ndershëm, i njerëzve trima e patriotë, por pas çlirimit nuk përfitoi as zhvillim as drejtësi, përkundrazi u ndëshkua me mjerim social, papunësi e stagnim ekonomik dhe me padrejtësi nga më të ndryshme”.

“Me Vetëvendosjen në qeverisje dhe Alban Krasniqin Kryetar të Komunës, këtë do ta ndryshojmë menjëherë edhe përgjithmonë”.

“Gjatë këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë dëgjuar më së shumti në lajme për Malishevën, atëherë kur njoftohej për të vdekurit nga ethet hemorragjike. Në katër vjetët e fundit, 20 qytetarë të Malishevës kanë ndërruar jetë prej pickimit të rriqrave”.

“Komuna këtu me pushtetin e buxhetin e saj ka ndërmarrë disa masa të pjesshme vetëm në muajin gusht, kur dihet që aktivizimi i zonës endemike bëhet qysh në prill. Në anën tjetër veç vetura e kryetarit aktual e në ikje të Komunës Isni Kilaj ka kushtuar 60 mijë euro me gjërat përcjellëse, po aq sa është ndarë buxheti për luftimin e etheve hemorragjike. Kjo tregon që luksi i këtyre pushtetarëve, me dreka e darka e makina luksoze, është më e rëndësishme për këtë pushtet, sesa jeta e 6 qytetarëve të Malishevës që kanë vdekur veç sivjet prej pickimit të rriqrave”.

“Rriqrat natyrore në Malishevë nuk do të ishin as problem, as rrezik, pa këta rriqrat politikë të PDK’së që po ia pinë gjakun popullit, prej Thaçit e deri të Kilaj këtu në Malishevë. Me qeverisjen e Vetëvendosjes, ne do t’i heqim edhe rriqrat politikë, edhe rriqrat natyrorë”.

Kurti foli edhe për problemin e fshatit Bellanicë, duke thënë se tokat e privatizuar atje vetëm një vit para ndërtimit të autostradës, kanë qenë prona shoqërore.

“Aty duket që janë të përzier edhe Kilaj me të tjerët, edhe këta përfaqësuesit politik të Iniciativës Qytetare të Malishevës. Të gjithë këtë privatizues të korruptuar, të gjithë këta të korruptuar që privatizojnë, e kanë ditur qysh më herët drejtimin e autostradës, prandaj kanë vrapuar që t’i bëjnë këto privatizimi dhe ta dëmtojnë pronën shoqërore, që ta dëmtojnë interesin publik të qytetarëve të Malishevës. Mirëpo, me qeverisjen e Vetëvendosjes, të gjitha këto do të hulumtohen e do të hetohen, do të rishikohen e do të korrigjohen”.

Lidhur me premtimet e Thaçit se do t’i investojë rreth 75 milionë euro në këtë Komunë, Kurti tha kjo i bie që Thaçi do t’ia vjedhë Kosovës edhe 75 milionë euro, në emër ët Malishevës.

“Këta njerëz nuk do të mund të marrin më, për shkak se më 3 nëntor, qytetarët e Malishevës dhe krejt Kosovës do të vendosin vetë, do të votojnë vetë, do ta votojnë Vetëvendosjen, sepse vetëm Vetëvendosje i sjellë ndryshimet që janë aq të nevojshme, aq të domosdoshme, për qytetarët e Malishevës dhe të gjithë Kosovës”.

Kandidati për Kryetar të Komunës, Alban Krasniqi, tha se edhe 14 vjet pas përfundimit të luftës, Malisheva lëngon nga moszhvillimi, varfëria, krimi, korrupsioni dhe presioni politik i përcjellë me nepotizëm dhe militantizëm partiak  në çdo segment ku ky pushtet kishte dorë.

“Si pasojë e qeverisjes mafioze të pushtetit në ikje, arsimi dhe shkollat janë kthyer në zyrë të partisë në pushtet, punësimi edhe ashtu i pakët në sektorin publik është  shndërruar në shtabe rekrutimi për militantë partiak dhe familjarë pushtetarësh”.