Ikja e kolosit

Po mbushet një javë që kur folklori shqiptar humbi njërin nga zërat më unikat të tij.

Opinion

22/08/2016 07:24

Osman Sefë Mleqani, shtylla kryesore e grupit më të njohur foklorik shqiptar, të pagëzuar nga populli “Të Bijtë e Sefë Mleqanit”, humbi betejën përballë një sëmundjeje të rëndë, duke tronditur kështu zemrat e mijëra dashamirësve të tij e të këngës që ai kultivoi ndër dekada.

Varrimi madhështor, ngushëllimet nga krerët më të lartë të shtetit dhe mesazhet e panumërta të dashamirësve të këngës së tij, ishin treguesit më të mirë të vlerave artistike që ky rapsod përfaqësonte.

Interpretues prej artisti të vërtetë, Osman Sefa, së bashku me vëllezërit e tij, nëpërmjet këngëve që interpretoi, përjetësoi ngjarjet dhe zhvillimet e shumta të historisë sonë, si dhe heroizmat e figurave të njohura kombëtare të luftës për liri dhe pavarësi. Kënga e tyre, si e tillë, ishte frymëzim për gjenerata të shumta veprimtarësh, të cilët në eposin popullor të interperetuar nga Të Bijtë e Sefë Mleqanit dhe qindra rapsodë të tjerë, gjetën historinë, sa të dhimshme, aq edhe krenare, të kombit tonë ndër shekuj, si dhe burimin e frymëzimit të tyre patriotik e atdhetar.

Babai i tyre, Sefë Mleqani, kishte emër anembanë Kosovës si rapsod, veçmas i këngëve kreshnike. Kësaj rruge po i hynin edhe djemtë e tij, që kishin filluar t’i shkonin pas të t’jatit nëpër oda. Zëri dhe kënga e tyre filluan të oshtijnë nëpër dasma e ndeja burrash.

Ata shumë shpejt konsoliduan grupin e tyre, duke hyrë kështu në foklorin shqiptar si një trupë, sa kompakte, aq edhe karakteristike, me zërat e veçantë të anëtarëve të grupit, të cilët përplotësinin njëri-tjetrin, duke përbërë kështu koloritin e zërit unik që jehonte fuqishëm anekënd Kosovës.

Repertori i tyre i pasur i këngëve, prej rreth një mijë sosh, i cili buronte nga gurra e popullit, përmbanë këngë për lirinë, luftën, bashkimin, trimërinë, burrërinë, besën, e pse jo, edhe dashurinë, duke u shtrirë kështu nga këngët kreshnike, deri te ato popullore.

Ky grup, gjatë karrierës së tij, nuk u ndal vetëm në rrethin e këngëve të kultivuara brenda trevave të Kosovës. Rapsodët nga Mleqani nuk hezituan të interpretojnë këngë të shumta nga përtej kufijve të Kosovës, veçanërisht të Shqipërisë së veriut. Ata kultivuan këngën e shkurtër, por të fuqishme, duke vendosur kështu një standard të ri në foklorin shqiptar të Kosovës, i cili u ndoq më pas nga rapsodë dhe grupe të tjera folklorike. Interpetimi i këngëve të ndaluara nga regjimi jugosllav, u kushtoi atyre me arrestime dhe marrje në pyetje nëpër stacione policore të kohës.

Në vitin 1989, grupi humbi njërin nga anëtarët e tij, Ismetin. Rënia heroike e Beqirit, pjesëtar i UÇK-së, nëntë vite më vonë, i këputi krahun grupit foklorik nga Mleqani. Por, ameneti për të mos e ndalur çiftelinë, shtyri tre anëtarët e mbetur, Imerin, Osmanin dhe Ibrahimin, të vazhdonjë këngën pa rreshtur.

Dhe, pak ditë pasi kishte mbushur 70 vjet, pushoi së rrahuri edhe zemra e anëtarit tjetër të grupit, kolosit të këngës folklorike, Osmanit. Ai vet iku, por pas la këngën. Zëri briliant i këtij rapsodi shqiptar, ashtu si në varrimin e trupit të tij, do të vazhdojë të jehojë brez pas bezi.

Osman Sefa, në tërë karrierën e tij, asnjëherë nuk i mohoi askujt mundësinë që të këndojë bashkë me të dhe kurrë nuk u bë pjesë e garava inatçore, jo aq të rralla ndër rapsodë. Përkundrazi, ai me qetësi vazhdoi ritmin e vet origjinal, duke ruajtur pastërtinë e këngës shqipe dhe vlerat që ajo përfaqësonte.

Osman Sefa la pas vetes një pasuri të madhe artistike dhe gjurmë të pashlyeshme në folklorin shqiptar, por edhe një trashëgimi gjaku, të brumosur me traditën e kultivimit të këngës shqipe.