IKD: Organet e drejtësisë punuan mirë me 8 qershor

Instituti i Kosovës për Drejtësi “IKD”, e ka vlerësuar si pozitive punën e prokurorisë dhe policisë në bazë të përgjegjësive në ditën e zgjedhjeve, 8 qershor.

Lajme

13/06/2014 17:50

Në një komunikatë për media të lëshuar nga IKD, thuhet se bashkëpunimi mes institucioneve të dreqësisë ka ndikuar në mbarëvajtjen e mirë të procesit zgjedhor.

“IKD është duke punuar dhe do të dalë me raport përfundimtar sa i përket reagimeve të organeve të drejtësisë për zgjedhjet e 8 qershorit, por vlerësimi preliminar për këto zgjedhje, deri në këtë fazë është pozitiv për organet e drejtësisë. IKD vlerëson qasjen, standardin dhe angazhimin e organeve të sigurisë dhe ndjekjes në lidhje me veprimtarinë penale kundër të drejtave të votimit për zgjedhjet e 8 qershorit 2014”.

 “Për zgjedhjet parlamentare 2014, përfshi ditën e votimit me 8 qershor, janë regjistruar 13 raste me 23 persona të përfshirë në veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në ditën e votimit janë ndaluar nga Prokurori i Shtetit 14 persona, prej tyre prokurorët për tetë persona kanë kërkuar nga gjykatat caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa gjykatësit kanë aprovuar kërkesat ndaj pesë personave, të cilëve iu është caktuar paraburgimi prej 30 ditëve. Dy personave iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak, një personi iu është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, ndërsa ndaj 13 personave po zhvillohet procedurë e rregullt”.

“Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve, bazuar në përfshirjen e këtyre personave të përfshirë në kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit, rezulton të jetë vepra penale nga neni 215 ‘Dhënia ose marrja e rryshfetit në lidhje me votimin’, ku janë përfshirë 10 persona. Shqetësuese mbetet edhe përfshirja e personave në kryerjen e veprës penale ‘Pengimi i procesit të votimit’, për të cilën vepër dyshohen 7 persona”.

“Gjatë monitorimit, rezulton se në rajonin e Prishtinës ka pasur më së shumti raste, ku janë paraqitur pesë raste me dymbëdhjetë persona, e pasuar nga rajoni i Gjakovës me tri raste, me pesë persona, ndërsa nuk është regjistruar asnjë rast në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e IKD-së.

Sipas tyre rasti më i ndjeshëm, për të cilin ka pasur raportime publike në media, ku dyshohej për mbushjen e kutive të votimit në disa fshatra të Skenderajt, rrjedhimisht ku ngriheshin dyshime për përfshirjen e personave në kryerjen e disa veprave penale, është ende në proces të hetimeve nga Prokurori i Shtetit.

IKD vlerëson se institucionet e drejtësisë duhet të dëshmojnë rezultate konkrete në hetimin e financimit të aktiviteteve të partive politike, për të zbuluar aktivitetet e kundërligjshme dhe kriminale dhe për të vendosur drejtësi. Monitorimi i aktiviteteve të organeve policore dhe prokuroriale dhe analizimi i tyre nga IKD është mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.